Trumpi paralajmëron Iranin: Nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet shpejt, do të godasim

05 gusht 2026 | 15:19

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se Uashingtoni do të ndërmarrë veprime të ashpra nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet brenda një kohe të shkurtër.

Në një intervistë për “Fox News”, Trumpi ka thënë se ShBA-ja “do ta godasë shumë fort” Iranin nëse kjo rrugë strategjike detare nuk hapet “shumë shpejt”. Megjithatë, ai theksoi se negociatat me Teheranin po ecin në drejtimin e duhur dhe se pala iraniane është e interesuar për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i japë fund tensioneve të fundit.

Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se ka pasur përparim në bisedimet me Iranin dhe Omanin, ndonëse ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare. Ai është shprehur optimist se një zgjidhje mund të arrihet së shpejti.

Edhe sekretari i Thesarit i ShBA-së, Scott Bessent, ka thënë për “CNBC”-në se një marrëveshje për rihapjen e ngushticës së Hormuzit mund të arrihet “sot ose nesër”.

Në përpjekjet diplomatike janë përfshirë edhe Katari, Omani dhe Pakistani, të cilët po ndërmjetësojnë për gjetjen e një zgjidhjeje që do të mundësonte rifillimin e dialogut mes palëve.

Ndërkohë, pritshmëritë për një marrëveshje kanë ndikuar në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimi i naftës Brent ka shënuar rënie prej 5.26 për qind, duke zbritur në 79.36 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga 10 korriku, si pasojë e optimizmit për rihapjen e një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Bashkimi Evropian…