Mbi 400 të arrestuar në Francë për zjarret, 14 mijë vatra të raportuara gjatë vitit
Autoritetet franceze kanë arrestuar mbi 400 persona që nga nisja e sezonit të zjarreve në vend, ndërsa gjatë vitit 2026 janë raportuar më shumë se 14 mijë vatra zjarri.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, ka bërë me dije shifrat e arrestimeve, duke thënë se nga 402 personat e ndaluar, 156 janë të mitur.
Autoritetet kanë njoftuar se zjarret në departamentet Gironde dhe Aude janë vënë nën kontroll, ndërsa në departamentin Var vazhdon beteja me flakët.
Nunez ka thënë se zjarri në Var është më i gjati i regjistruar ndonjëherë në këtë departament, pasi ka vazhduar për 15 ditë rresht. Për shuarjen e tij janë angazhuar 1 250 zjarrfikës, të mbështetur nga dy avionë bombardues uji të tipit “Canadair” dhe dy helikopterë për hedhjen e ujit.
Ndërkohë, autoritetet franceze kanë ulur të martën nivelin e alarmit për zjarret në Gironde nga i kuq në portokalli, pas përmirësimit të situatës. Studimet e fundit kanë treguar se Evropa po përballet me valë të temperaturave ekstreme dhe zjarre gjithnjë e më shkatërruese, të lidhura me ndryshimet klimatike dhe ndikimin e aktivitetit njerëzor.



