Islom Vula – atdhetari që e shihte tregtinë si urë bashkimi kombëtar
Shkruan: Arben Rogova
Historia e Kosovës nuk është ndërtuar vetëm nga figurat politike të njohura, por edhe nga njerëz të cilët, me punën, karakterin dhe guximin e tyre, kanë sfiduar kufizimet e kohës. Njëri prej tyre ishte Islom Vula, një personalitet i veçantë i Gjakovës, i cili në rrethanat e sistemit socialist arriti të dëshmojë se atdhetaria mund të shprehet edhe përmes ekonomisë, ndërmarrësisë dhe vizionit.
Në moshën vetëm 16-vjeçare mbeti pa babanë dhe mori mbi vete barrën e familjes. Filloi punën në grumbullimin e drithërave, pikërisht në një periudhë kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë po përkeqësoheshin. Kur në zyrën ku punonte mbërriti urdhri për ndërprerjen e eksportit të drithit drejt Shqipërisë, ai, sipas dëshmive, e anashkaloi telegramin dhe vazhdoi dërgesat edhe për dy ditë, duke u arsyetuar se nuk e kishte parë njoftimin. Ishte një veprim i rrezikshëm për kohën, por që dëshmonte bindjen dhe karakterin e tij.
Aftësitë organizative dhe fryma e ndërmarrësisë bënë që në janar të vitit 1955 t’i besohej themelimi i ndërmarrjes së transportit të udhëtarëve “Pashtriku”. Më pas ai kaloi në kooperativën bujqësore, ku solli ide të reja për zhvillimin e prodhimit. Futja e inkubatorëve për rritjen e zogjve dhe organizimi i bashkëpunimit me kooperuesit u krijuan shumë familjeve një burim të ri të ardhurash në një kohë varfërie të madhe. Për shumë qytetarë dhe fshatarë, kjo ishte më shumë se një nismë ekonomike, ishte një mundësi për të siguruar jetesën.
Në vitet gjashtëdhjetë mori drejtimin e ndërmarrjes që më vonë u quajt “Agimi”. Vetë emri kishte një simbolikë të fuqishme. Nën drejtimin e tij, ndërmarrja krijoi lidhje të drejtpërdrejta tregtare me Ministrinë e Tregtisë së Jashtme të Shqipërisë. Kjo ishte një urë komunikimi ndërshqiptar në një kohë kur kufijtë dhe ndarjet ideologjike e bënin çdo afrim tepër të ndjeshëm.
Një episod domethënës tregon shumë për karakterin e Islom Vulës. Gjatë bisedimeve në Tiranë, ai u tërhoqi vërejtjen zyrtarëve shqiptarë se disa produkte po eksportoheshin me çmime shumë të ulëta dhe se Shqipëria po dëmtohej ekonomikisht. Në takimin pasues, pala shqiptare ia dorëzoi listën e produkteve dhe i tha: “Islom, vendosi vetë çmimet.” Ky ishte një tregues i besimit të jashtëzakonshëm që kishte fituar.
Ky besim nuk kaloi pa u vënë re nga autoritetet jugosllave. Ato shfaqën pakënaqësi, sidomos sepse gjatë vizitave në Tiranë ai nuk e vizitonte Ambasadën Jugosllave. Për këtë arsye u thirr në Beograd për sqarime. Në një takim të delegacioneve tregtare Jugosllavi–Shqipëri, ndërmarrja “Agimi” u përmend nga pala shqiptare si model korrektësie dhe suksesi. Reagimi i ashpër i funksionares jugosllave Latinka Perović ishte tregues i qartë se veprimtaria e Islom Vulës shihej me dyshim nga strukturat politike të kohës.
Pas kësaj ai u largua nga detyra, u izolua për një periudhë dhe iu sekuestrua pasaporta. Megjithatë, aftësitë e tij profesionale ishin aq të njohura, sa më vonë u rikthye në jetën ekonomike si drejtor komercial në “Elektromotori”. Edhe aty mori një vendim të guximshëm strategjik, duke e shkëputur ndërmarrjen nga lidhjet me Nishin dhe duke e orientuar drejt bashkëpunimit me “Gorenje” të Sllovenisë.
Ata që e kanë njohur kujtojnë edhe një thënie të tij, e cila shpreh më së miri vizionin që e udhëhiqte: “Tregtia mes Kosovës dhe Shqipërisë e kishte qëllimin madhor, hapjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë.”
Kjo fjali tregon se për Islom Vulën ekonomia nuk ishte vetëm biznes. Ajo ishte një mjet për afrimin kombëtar, për krijimin e besimit dhe për forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Sot, kur flasim për historinë e Kosovës, nuk duhet të harrojmë njerëzit që vepruan me guxim në kohë kur çdo hap i gabuar mund t’u kushtonte lirinë, karrierën, madje edhe jetën. Islom Vula është një nga ata personalitete që meriton të zërë vendin e tij në kujtesën historike të Gjakovës dhe të Kosovës.
Vlerësimi i figurave të tilla është një mësim për brezat se atdhetaria mund të shprehet në shumë forma, sa herë që ajo vihet në shërbim të interesit kombëtar.



