Haradinaj përkujton dëshmorët e familjes Markalleshi
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot familjen Markalleshi nga Vraniqi i Gjakovës, duke vlerësuar sakrificën e saj në luftën për lirinë e Kosovës.
Në një postim në “Facebook”, Haradinaj ka theksuar se familja Markalleshi qëndroi e patrembur përballë çdo armiku dhe ishte gjithmonë në ballë të betejave për çlirimin e atdheut.
Ai ka kujtuar se kjo familje i dha Kosovës katër dëshmorë, Markun, Kolën, Prendin dhe Memën, duke veçuar 7 gushtin 1998 si ditën kur, në përballje me forcat armike, ranë heroikisht Mark dhe Kolë Lleshi, ndërsa idealin e tyre e vazhduan Prendi dhe Mema.
Haradinaj ka përmendur gjithashtu kontributin e Gegës, Tomës dhe Nikës, të cilët, sipas tij, qëndruan në vijën e parë të shumë betejave të luftës çlirimtare dhe nuk u tërhoqën asnjëherë nga rruga e tyre.
“Lavdi e përjetshme dëshmorëve të familjes Markalleshi!”, ka shkruar Haradinaj.



