Kosova rrezikon humbjen e fondeve të BE-së për shkak të ritmit të ngadaltë të reformave

07 gusht 2026 | 13:10

Zbatimi i reformave të përcaktuara nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor po ecën me ritme të ngadalta në Kosovë, ndërsa mosrespektimi i afateve të përcaktuara mund të çojë në humbjen e një pjese të mjeteve të ndara për vendin. Të dhënat e publikuara nga “WeBalkans” tregojnë se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar nivele të ndryshme të përparimit, ndërsa Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina renditen ndër vendet me ecurinë më të dobët në realizimin e reformave.

Nga shuma fillestare prej 882.6 milionë eurosh, e paraparë për Kosovën përmes Planit të Rritjes, deri tani vendi ka përfituar 61.8 milionë euro.

Materiali, të cilit i referohet “Kosovapress”, thekson se pas miratimit të Agjendës së Reformave nga Komisioni Evropian, Kosova ka nisur miratimin e legjislacionit të ri, zbatimin e ndryshimeve institucionale, digjitalizimin e administratës publike dhe avancimin e menaxhimit të financave publike. Megjithatë, ecuria e këtij procesi vlerësohet si e ngadaltë.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian, i cituar në publikimin e “WeBalkans”, ka bërë me dije se vetëm Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina nuk e kanë dorëzuar ende raportimin zyrtar për zbatimin e reformave. “Vetëm Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë raportuar ende formalisht për zbatimin e reformave”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian. Brukseli ka sqaruar se ndarja e fondeve është e lidhur drejtpërdrejt me përmbushjen e reformave për të cilat është rënë dakord, ndaj vendet e rajonit duhet t’i realizojnë detyrimet brenda afateve të përcaktuara.

Duke përcjellë qëndrimin e Komisionit Evropian, në material thuhet se “Pagesat janë të kushtëzuara me përmbushjen e hapave të reformave”.

Në rast të vonesave, shteteve u jepet një periudhë shtesë për realizimin e kushteve. Por nëse detyrimet nuk përmbushen as gjatë këtij afati, fondet përkatëse rrezikojnë të humben.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar, sipas “WeBalkans”, se “nëse kushtet nuk përmbushen brenda periudhës shtesë, shuma përkatëse mund të humbet dhe të rialokohet te përfituesit e tjerë në vitet pasuese”. Projektet e financuara përmes Planit të Rritjes duhet të përmbyllen deri në fund të vitit 2027, ndërsa Komisioni Evropian ka bërë të qartë se nuk është paraparë shtyrje apo zgjatje e këtij afati. Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor synohet afrimi ekonomik i vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian, përmes integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian, fuqizimit të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përshpejtimit të reformave themelore. Sigurimi i fondeve nga Mekanizmi për Reforma dhe Rritje kushtëzohet drejtpërdrejt nga zbatimi i hapave të përcaktuar në agjendën e reformave të secilit shtet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas 13 vitesh pa pranuar asnjë anëtar të ri, Bashkimi…