Trumpi kufizon shtetësinë për fëmijët e lindur në ShBA, sfidon Amendamentin e 14-të
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka nënshkruar dy urdhra ekzekutivë që synojnë kufizimin e të drejtës për shtetësi automatike për fëmijët e lindur në territorin amerikan, duke sfiduar interpretimin aktual të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së ShBA-së.
Kufizimi i kësaj të drejte është një nga prioritetet kryesore të administratës Trump në kuadër të politikave kundër emigracionit. Masat e reja synojnë veçanërisht fenomenin e njohur si “turizmi i lindjes”, kur gra shtatzëna nga vende të tjera udhëtojnë drejt ShBA-së për të lindur, me qëllim që fëmijët e tyre të përfitojnë shtetësinë amerikane.
Urdhrat e rinj parashohin gjithashtu kufizime për fëmijët e lindur nga punonjës të qeverive të huaja në ShBA, si dhe për fëmijët e personave të klasifikuar nga autoritetet amerikane si “armiq të huaj”.
Vendimi i Trumpit vjen pasi më 30 qershor Gjykata Supreme ka rrëzuar si antikushtetues një urdhër të mëparshëm të tij, i cili synonte t’u mohonte shtetësinë fëmijëve të lindur në ShBA nga prindër që ndodheshin në vend në mënyrë të paligjshme ose me status të përkohshëm. Administrata amerikane argumenton se urdhrat e rinj janë më të kufizuar dhe nuk bien ndesh me vendimin e gjykatës.
Megjithatë, ekspertë të së drejtës dhe organizata për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve kanë paralajmëruar se edhe këto masa pritet të përballen me sfida ligjore në gjykata. Sipas tyre, Amendamenti i 14-të garanton shtetësinë për pothuajse çdo person të lindur në territorin amerikan dhe një president nuk mund ta ndryshojë këtë të drejtë vetëm përmes një urdhri ekzekutiv. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të urdhrave në Shtëpinë e Bardhë, Trump e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Supreme si “shumë të gabuar”, duke deklaruar se “njerëzit po ndërtojnë biznese rreth turizmit të lindjes” dhe se administrata e tij synon t’i japë fund kësaj praktike.



