Abdixhiku para takimit me Kurtin: Nuk ka asnjë arsye të vonohet konstituimi i Kuvendit

07 gusht 2026 | 13:36

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye për të shtyrë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se procesi duhet të vazhdojë pa vonesa.

Para takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Abdixhiku ka thënë se fokusi mbetet te përmbushja e obligimeve kushtetuese.

“Do të vazhdojmë me punët tona që duhet t’i bëjmë për konstituimin e Kuvendit. Nuk ka asnjë arsye që të vonohet konstituimi i Kuvendit. Po më lejoni të shkoj në takim dhe pas takimit do të deklarohem”, ka thënë ai.

I pyetur nga gazetarët se çfarë nënkupton kërkesa e LDK-së, Abdixhiku është përgjigjur shkurt se ajo lidhet “me konstituimin e Kuvendit”.

Në pyetjen nëse pret një marrëveshje gjatë ditës apo thirrjen e seancës konstituive, kreu i LDK-së ka deklaruar se seanca duhet të mbahet pa vonesë.

“Duhet të ketë seancë konstituive. Duhet të ketë seancë konstituive. Nuk ka nevojë të vonohet me konstituimin e Kuvendit. Duhet të votohet kryetari i Kuvendit dhe Kryesia e Kuvendit. LDK-ja as ka kërkuar, as kërkon që të bëhet ose të ketë vonesa të tilla”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku ka shtuar se përgjegjësia për mbarëvajtjen e procesit bie edhe mbi partinë e parë, duke lënë të kuptohet se çdo vonesë eventuale nuk duhet të përdoret për qëllime negociuese.

“Por tani, kjo është përgjegjësi edhe e partisë së parë, e cila qëllon që ka më të vjetrin në seancë aty, të ulur në karrigen e kryesuesit të Kuvendit. Por, në qoftë se është bërë për taktikë negociuese, le ta themi shumë qartë: LDK-ja nuk nënshtrohet dhe Republika nuk dorëzohet. Prandaj, as nuk nënshtrohemi, as nuk dorëzohemi”, është shprehur ai.

Abdixhiku ka bërë me dije se pas takimit do të dalë sërish para medieve.

“Tani po shkoj në takim dhe pas takimit do të përpiqemi sa më mirë të përfaqësojmë interesat e Kosovës, të popullit të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas takimit deklarohemi edhe para mediave në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka dhënë një përditësim lidhur…