Sot edicioni i 9 i Konferencës së Ambasadorëve të Kosovës

10 gusht 2026 | 08:39

Edicioni i nëntë i Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës organizohet sot në Prishtinë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Takimi nis në orën 09:30 dhe zhvillohet nën temën “Kosova në një botë në ndryshim: siguri, partneritet dhe zhvillim”.

Në ceremoninë hapëse pritet të jenë të pranishëm ambasadorët e Republikës së Kosovës, përfaqësues të institucioneve vendore, si dhe personalitete të tjera.

Të pranishmëve do t’u drejtohen ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Para konferencës, Haxhiu njoftoi mbrëmë se në Prishtinë u ishte organizuar pritje ambasadorëve dhe konsujve të Kosovës, të cilët kryejnë misionet e tyre në shtete të ndryshme të botës.

Ajo u shprehu falënderime diplomatëve për angazhimin e tyre gjatë gjithë vitit në përfaqësim të Kosovës. Sipas Haxhiut, rezultatet e kësaj pune shpesh nuk bëhen të dukshme menjëherë, pasi nevojiten durim, këmbëngulje dhe shumë biseda para se ato të arrihen.

Duke folur për diplomacinë, ushtruesja e detyrës së presidentes nënvizoi domosdoshmërinë e krijimit të besimit dhe të raporteve afatgjata, sidomos në një periudhë kur aleancat dhe interesat po ndryshojnë me shpejtësi.

Haxhiu deklaroi se njohja mes palëve dhe ndërtimi i besimit kërkojnë kohë, përpara se të vijë çasti kur nevojitet përkrahja e tyre.

Sipas saj, diplomatët kosovarë duhet ta zgjerojnë mënyrën se si Kosova njihet ndërkombëtarisht, në mënyrë që perceptimi për vendin të mos kufizohet vetëm te ngjarjet e së kaluarës.

Ajo theksoi se diplomatët angazhohen përditë që njohuritë për Kosovën të përfshijnë edhe realitetin dhe vendin që është sot.

Mirënjohje nga Haxhiu pati gjithashtu për familjarët e diplomatëve. Ajo përmendi fëmijët që detyrohen të ndryshojnë shkollë dhe bashkëshortët që e përshtatin jetën sa herë që diplomatët caktohen për të shërbyer në një vend të ri.

Pjesë e pritjes së zhvilluar mbrëmë ishin edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përshtatja kinematografike e “Odisesë” u kthye në një nga sukseset…