FJALIMI I ALI AHMETIT NË SHESHIN “ADEM JASHARI” NË RADUSHË

10 gusht 2026 | 20:43

Të dashur vëllezër e motra,
Familje të dëshmorëve,
Bashkëluftëtarë,
Invalidë të luftës,
Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të dashur bashkëveprimtarë, bashkëveprues e bashkëdrejtues të të gjitha epokave dhe zhvillimeve tona historike në fund të shekullit të 20-të dhe fillim të shekullit të 21-të!

Do të doja ta përkujtoj James Pardew, i cili angazhohet për të ndërmjetësuar mes palëve ndërluftuese këtu në Maqedoni!

I ngarkuar nga Presidenti Bush dhe Departamenti i Shtetit, para se të hyjë në mision vjen në konsulta në Bondsteel dhe bashkëbisedon me gjeneralë amerikanë, ku i informon ata se shteti e ngarkon me një mision që ai duhet të ndërmjetësojë, por nuk e di dhe nuk ka informacion të mjaftueshëm se ç’duhet të ndërmjetësojë!

Edhe pse ishte me shumë përvojë, sepse kishte qenë në Bosnjë, kishte qenë në ekipet në Kosovë, por këtu e kishte përgjegjësinë e parë!

Dhe i pyet gjeneralët: “Çfarë situate dhe çfarë zhvillimesh ka dhe ç’duhet të ndërmjetësoj unë?

Dhe i bëjnë një raport gjeneralët në Bondsteel ku thonë: “Ke dy palë ndërluftuese!
Në njërën anë është ushtria dhe policia e shtetit, në anën tjetër është Ushtria Çlirimtare Kombëtare që përfaqëson dhe grumbullon shqiptarët etnikë që jetojnë në Maqedoni”!

“Por si është situata ndërluftuese”?
Të dashur komandantë brigadash,
Mësues,
Talat,
Nazim,
Raporti është ky nga gjeneralët e NATO-s në Bondsteel: Ushtria Çlirimtare Kombëtare është e përgatitur moralisht, ushtarakisht dhe profesionalisht shumë fort!

Ka armatime e pajisje edhe moderne dhe është e përgatitur për luftë të gjatë!

Pala e shtetit nuk ka eksperiencë lufe siç ka Ushtria Çlirimtare Kombëtare!
Janë profesionistë, dinë të luftojnë!

Pala e shtetit s’janë profesionistë dhe s’dinë të luftojnë!

Dhe James Pardew në librin e tij shkruan dhe flet me vetveten: “Po ku shkoj unë të ndërmjetësoj kur Ushtria Çlirimtare Kombëtare është e pajisur me armë, moral të lartë, luftëtarë profesionistë? Ç’do të bëj unë”?

Pavarësisht dyshimeve të Tij, Ai shkruan në libër, dhe unë interpretoj në mënyrë autentike fjalët e Tij të librit të Tij , “Megjithatë,” thotë, “pranova”!

Por i del e kundërta!

Në bisedime dhe në komunikim, Ushtria Çlirimtare Kombëtare përveçse profesionalisht e përgatitur e luftarakisht, ka ditur edhe politikisht ta menaxhojë situatën!

Kështu që në lartësi ngritet Ushtria Çlirimtare Kombëtare, dhe me shumë mangësi e vërejtje për ushtrinë dhe policinë e shtetit për jokomunikim dhe jopërfaqësim të drejtë politik!

Dhe pjesa tjetër është e Pieter Feith-it!

Bëmë marrëveshje, sepse hyra Mësues, Ti më shtive tani në përkujtime – nënshkruam marrëveshje për t’u tërhequr nga Haraçina dhe i thashë Pieter Feith-it: “Zotëri, nga ky moment ju jeni komandant i UÇK-së andej!

Po ndodhi diçka me 300 ushtarët – a realisht i kishim 500 ushtarë – përgjegjësinë e mbani ju”!

Dhe u dakorduam, nënshkruam marrëveshjen!

Dhe hasi në aq rezistencë Pieter Feith-i, gjuheshte nga pala e ushtrisë dhe e policisë së shtetit dhe më thërret nga një bunker, më thotë: “Unë s’kam ç’të bëj”!

A i dëgjon se si krisin topat, si krisin mitralozat!

Thashë: “Ke pranuar komandën, për hajër të qoftë, ditën e mirë”! dhe ja mbylla telefonin!

Kur jemi takuar pas këtyre zhvillimeve, tha:”Hallall ju qoftë, edhe ne krenarë do të ishim në NATO sikur të kishim ushtri kaq të disiplinuar, kaq të rreshtuar dhe kaq të përgatitur”!

Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk ka qenë shaka!

Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka pasur – sepse kjo nuk është fshehtësi – ushtarët më të mirë, më të dëshmuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare vërtet ka qenë luftë e organizimit të nivelit më të lartë kombëtar!

Nga analizat që bëhen nga historianë të fushës së ushtrisë, Ushtria Çlirimtare Kombëtare është njëra nga ushtritë më të suksesshme guerile brenda 30 viteve të fundit që është zhvilluar në luftë guerile!

Me humbje jo të mëdha, por me fitore të madhe!

Sepse te një luftë, kur bëhet bilanci, matet edhe sa humbje në njerëz ke dhe kush është fitorja!

Shqiptarët, i nderuar bashkëveprimtar i moçëm, jo ilegal!

Ne nuk kemi qenë Elmi ilegalë përpara popullit tonë!

Ne kemi qenë legalë!

Nëna që ushqeu Rexhep Malën, Nuhi Berishën, na ka ushqyer dhe ne të dyve!

Të njëjtën bazë e kemi pasur!

Dhe nuk ishim të fshehtë as për lagjen, as për fshatrat ku vepronim edhe punonim!

Ilegal do të thotë diçka e ndaluar!

Ne punë të ndaluar nuk kemi bërë, ne kemi bërë punë e angazhim për liri e drejtësi të kombit tonë!

Dhe ne misionin e realizuam!

Tani është detyrë e gjeneratave që misioneve të heronjve, të njerëzve të mëdhenj të kombit, t’u dalin zot, të realizojnë mëvetësinë tërësisht të Kosovës, të realizohet tërësisht gjaku i derdhur për liri e drejtësi i shqiptarëve të Maqedonisë!

Shqiptarët në Maqedoni nuk luftuan dhe Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua për të qenë vazalë e argatë të huaj, por për barazi e drejtësi, për gjuhë e flamur, sepse amaneti në breza është për gjuhë e flamur, gjithmonë në luftë e në rezistencë shqiptari ka qenë!

Të mbrohen vlerat, të bëhemi të gjithë bashkë ne të cilët i kemi paguar shtrenjtë të gjitha periudhat: të burgosur, të torturuar, të vrarë, të sakatosur!

Të lidhemi sup më sup, familje, ushtarë e veteranë, të plagosur, invalidë, se po nuk jemi bashkë ne të gjithë…

A e shihni çfarë organizimesh e direktivash jepen nga Moska, nga Beogradi, që të luftohen ushtritë tona çlirimtare?

Llogaritni ju, Putini e dinte se ku janë fshatrat e Malësisë së Kumanovës: Goshinca, e Breza, e Malina!

Kur po i pyetje shqiptarët në Strugë, nuk e dinin se ku është Goshinca!

E dinte zoti Putin dhe ku i hiqte vijat e kuqe se “s’guxon Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s”!

Ja, zoti Putin, ne jemi anëtarë të NATO-s!

Ne do të jemi edhe anëtarë të Bashkimit Evropian!

Do të jemi sepse duam Ballkan pa kufij, sepse ne shtrenjtë i kemi paguar kufijtë!

Sa e sa njerëz na janë vrarë për këta kufij e në këta kufij!

Kështuqë ne e duam vendin tonë, Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, siç është Kroacia në Bashkimin Evropian, anëtare me të drejta të plota!

A do të realizohet?

Sigurisht që do të realizohet, por me kusht: politikanët e sotëm që drejtojnë këtë shtet të mos prekin aty ku s’preket, në Marrëveshjen e Ohrit!

Mos të preket Gjuha Shqipe, ashtu siç kanë filluar iniciativën me 75 faqe për të ndryshuar ligjin e gjuhës shqipe!

Mos të preket tek përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve!

Përderisa ne kemi çelësin e Badinterit, ata vetëm mund ta ëndërrojnë që mund t’i ndryshojnë!

Ne duam paqen, ne duam stabilitetin, ne duam ardhmërinë!

Ne duam që vendi ynë të ecë përpara!

Ne duam që Kosova të ecë përpara, jo të bllokohet dhe të shkilet kushtetuta e të shkelen institucionet!

T’u dalim zot bashkëluftëtarëve tanë!

Elmi, si mund ata të cilët organizuan luftë kundër atyre që ushtronin gjenocid historik ndaj shqiptarëve të përgjigjen nëpër tribunale e në gjykata speciale, kurse ata të cilët kanë qenë pjesëmarrës në organizimin e këtyre krimeve dhe gjenocidit të japin direktiva se sa të dënohen luftëtarët e lirisë?

Prandaj e bëri apelin, më duket Azgan Haklaj bashkë me Shkëlqimin, që më 16 shtator, të gjithë në këmbë të jemi, sepse dënohen ato që sollën lirinë, dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dënohet edhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare kur dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës!

Ju, organizatorëve të këtij përkujtimi me rastin e 25-vjetorit, uroj që këta fëmijë të rriten në paqe, të rriten me prindër, të rriten me shkollim e profesionalizëm, të mos na përsëriten më as tankset, as topat, as helikopterët e avionët që dikur merreshin prej Bullgarisë e Ukrainës për të vrarë shqiptarët!

Uroj që të gjithë të reflektojnë!
Ne duam paqen, ne duam ardhmërinë, ne duam të respektohen marrëveshjet ndërkombëtare!

Marrëveshja e Ohrit nuk është një marrëveshje që është arritur mes dy klubeve, është marrëveshje që është arritur me ndërmjetësimin e Amerikës, Evropës dhe NATO-s!

Është marrëveshje e detyrueshme dhe obliguese që palët ta respektojnë!

Çdo gërvishtje mbi këtë marrëveshje dhe kthim pas është shumë keq, sikur të gërvishtesh mbi plagë të vjetra!

Prandaj nuk kemi nevojë për të hapur plagë, kemi nevojë për shërim të atyre plagëve që akoma i kemi të pambyllura!

Kështuqë uroj që të gjithë të reflektojnë!

Uroj që ata që hiqen si përfaqësues të shqiptarëve të mos bëjnë gabim siç kanë bërë para dy vjetësh, sepse ata nuk janë përfaqësues të denjë dhe nuk janë dalëzotës të vërtetë!

Se po të ishin, hallall do t’u bënim që hyrën si hyzmeqarë e vazalë!

Mirëpo çfarë ndryshimi sollën?

Sollën gjithçka mbrapsht e gjithçka keq për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut!

Ky shtet u takon të gjithë atyre që jetojnë në këto hapësira!

Në hapësirat ku jetojmë ne, jemi ne shqiptarët që kemi përgjegjësi të drejtojmë dhe të qeverisim me përgjegjësinë më të madhe në realizimin e objektivave, në realizimin e qëllimeve jo vetëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, por për tërë ata njerëz të cilët janë vrarë burgjeve e janë burgosur me burgje të rënda!

Kështuqë përgjegjësi morale dhe kombëtare kemi që të mos heqim dorë nga ai gjak i shtrenjtë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare!

Lavdi të gjithë të rënëve për liri!
Rroftë Adem Jashari këtu në sheshin “Adem Jashari”!

Edhe pse një fushë e vogël, po Adem Jashari duket nga qielli këtu!

Ali Ahmeti,
Radushë, 9 Gusht 2026!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhje,…