Prapashtica: Metush Krasniqi, kur doli prej burgut, nuk ishte aktiv, ndërsa Adem Demaçi ka vazhduar dhe përsëri hyri në burg

10 gusht 2026 | 22:20

Abdullah Prapashtica ka folur për figurat e njohura të veprimtarisë politike shqiptare në Kosovë, duke bërë një dallim mes Metush Krasniqit dhe Adem Demaçit sa i përket aktivitetit të tyre pas daljes nga burgu.

Në intervistën me gazetarin Ermal Panduri, Prapashtica ka thënë se Metush Krasniqi, të cilin e cilëson si një prej prijësve të patriotizmit shqiptar të asaj kohe, nuk kishte vazhduar aktivitetin organizativ pas lirimit nga burgu.

Sipas Prapashticës, Krasniqi e dinte se ishte nën vëzhgim dhe se vazhdimi i aktivitetit mund ta çonte përsëri në burg.

“Metushi ka qenë një prej prijësve të patriotizmit atëherë. Mirëpo e ka bërë një punë që kur ka dalë prej burgut nuk ka qenë aktiv në organizim sepse e ka ditë që e vëzhgojnë dhe e burgosin”, ka deklaruar Prapashtica.

Në anën tjetër, ai e veçon Adem Demaçin, duke thënë se pas lirimit nga burgu ai kishte zgjedhur të vazhdonte aktivitetin politik, pavarësisht rrezikut.

“Ndërsa, baca Adem e ka bërë të kundërtën. Baca Adem edhe kur ka dalë prej burgut e ka vazhduar aktivitetin dhe ka ra përsëri në burg”, ka thënë Prapashtica.

Prapashtica kishte kërkuar takim me Metush Krasniqin

Prapashtica ka treguar se, gjatë veprimtarisë së PKMLSHJ-së, kishte tentuar të krijonte kontakt me Metush Krasniqin.

Sipas tij, për organizimin e këtij takimi kishte kërkuar ndihmën e Osman Maqedoncit. Përmes një kolegu të tij të punës, Faik Zhilivodës, ishte tentuar të krijohej mundësia për një takim.

Por, sipas Prapashticës, kontakti nuk u realizua.

“Unë jam takuar me të dhe kam kërku që ai me ma organizu një takim, por ka ndodh që ne u zbuluam dhe u deshtë me lëshu Kosovën dhe mbeti ai takim pa u realizu”, ka rrëfyer ai.

Prapashtica ka sqaruar se nuk e ka takuar asnjëherë personalisht Metush Krasniqin.

Kontaktet me organizatat e tjera ilegale

Në intervistë, Prapashtica ka folur edhe për përpjekjet e PKMLSHJ-së për të vendosur kontakte me organizata të tjera ilegale dhe me figura të njohura të veprimtarisë politike shqiptare.

Ai thotë se organizata kishte dërguar materiale të brendshme jo vetëm te grupet ilegale, por edhe te strukturat autonome të Kosovës.

Sipas tij, qëllimi ishte që këto struktura të bashkoheshin në kërkesën “Për Republikë”, ndërsa drejtuesve autonomistë u ishte kërkuar që ta nisnin këtë kërkesë edhe në organet e udhëheqjes jugosllave.

“E kam ditur një pjesë të mirë të njerëzve që kanë qenë me ilegalen”
Prapashtica e lidh mundësinë për vendosjen e këtyre kontakteve edhe me pozitën e tij në Sigurimin e Shtetit.

Ai ka deklaruar se, gjatë kohës kur punonte në këtë strukturë, kishte njohuri për disa prej personave që ishin të lidhur me veprimtarinë ilegale.

“Unë kam punuar atëherë në Sigurim Shtetëror dhe unë e kam ditur një pjesë të mirë të njerëzve që kanë punuar, që kanë qenë me ilegalen”, ka thënë ai.

Sipas Prapashticës, kontaktet me këta persona nuk bëheshin drejtpërdrejt, por në mënyrë konspirative. Fillimisht synohej që ata të njoftoheshin për ekzistencën e PKMLSHJ-së dhe më pas të krijoheshin mundësi për bashkëpunim.

Ismail Dumoshi dhe Selatin Novosella

Në këtë kontekst, Prapashtica ka përmendur edhe Ismail Dumoshin dhe Selatin Novosellën, me të cilët, sipas tij, ishin tentuar kontakte në vitet 1980–1981.

Ai pretendon se disa prej këtyre përpjekjeve nuk kishin rezultuar me takim për shkak të rrethanave të sigurisë.

Për Selatin Novosellën, Prapashtica ka treguar se ishte propozuar një vendtakim, por organizata e tij nuk kishte pranuar të zhvillonte takimin në atë ambient.

Arsyeja, sipas tij, ishte se ata kishin informacione se ambienti ishte i pajisur me mjete përgjimi.

“Ne nuk kemi pranuar që aty me u bë takimi”, ka deklaruar Prapashtica.

Ai ka theksuar se Novosella, sipas tij, nuk e dinte se ambienti ishte i përgjuar, ndërsa këtë informacion e kishte PKMLSHJ-ja.

“Ky është konspiracioni”

Pikërisht këtu intervista ndalet te një prej çështjeve më të debatueshme të rrëfimit të Prapashticës: si ishte e mundur që ai, duke punuar në Sigurimin e Shtetit, të vepronte njëkohësisht në ilegalitet pa u zbuluar?

Përgjigjja e tij është se gjithçka varej nga konspiracioni.

“Ky është konspiracioni. Këtë e bën konspiracioni, konspiracionin nuk e ruan ndonjë teknike, e ruan konspiracioni”, ka thënë Prapashtica.

Sipas tij, edhe organizatat e tjera ilegale kishin rregulla të forta të konspiracionit, por PKMLSHJ-ja kishte arritur të identifikonte persona me të cilët mund të bashkëpunonte.

Rrëfimi i Prapashticës paraqet kështu një tablo të kontakteve të fshehta mes organizatave shqiptare, përpjekjeve për bashkëpunim dhe rrezikut të vazhdueshëm nga strukturat e Sigurimit të Shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është koha kur do të duhej të mbahej seanca konstituive.…