Avni Dehari: Nuk do ta thërras seancën konstituive pa marrëveshje politike
Deputeti më i moshuar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, i cili kryeson seancën konstituive të Kuvendit, ka dhënë sinjale se nuk do t’i ftojë deputetët për vazhdimin e saj pa pasur sinjale të qarta për një marrëveshje politike mes subjekteve parlamentare për formimin e institucioneve të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Dehari tha se përvoja e deritanishme ka treguar se mbajtja e seancave pa një dakordim politik nuk ka sjellë rezultate dhe vetëm sa ka rritur pakënaqësinë e qytetarëve.
“Vitin e kaluar, më 26 qershor 2025, Gjykata Kushtetuese kishte ritheksuar nevojën që Kuvendi të konstituohej brenda afatit 30-ditor, me afatin që fillonte të rridhte nga dita e shpalljes së aktgjykimit KO124/25.
Kjo nënkuptonte se, sipas aktgjykimit KO124/25, Kuvendi do të duhej të konstituohej më së largu deri më 26 korrik 2025.
Të gjithë jemi dëshmitarë se konstituimi i Kuvendit nuk kishte ndodhur as pas afatit të ri 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, pra deri më 26 korrik 2025.
Sa herë që u kam bërë thirrje deputetëve të opozitës vitin e kaluar që të votonin për ta konstituuar Kuvendin dhe të mos tejkalohej afati kushtetues, përgjigjja e tyre ka qenë se ‘nevojitet marrëveshje politike’. Asnjëherë nuk ishte problematizuar tejkalimi i këtij afati. Kurse vetë Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimet pasuese për çështjen e konstituimit, u kërkonte palëve të vazhdonin tentativat për konstituim pavarësisht tejkalimit të afatit, sepse nevoja për ta konstituuar Kuvendin i mbivendoset afatit.
Kërkesa e partive opozitare u precizua edhe më tej pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke insistuar se marrëveshja politike duhet të bëhet para formimit të institucioneve, përndryshe vendi shkon në zgjedhje.
Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë, të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar se e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet është përmes një marrëveshjeje politike mes partive parlamentare.
Në momentin e parë që kemi sinjale për një marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka shkruar Dehari.



