Çitaku: Nuk jemi këtu për puç, Kurti duhet të jetë në Kuvend
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, është deklaruar para medieve nga hapësira para ndërtesës së qeverisë, ku disa deputetë të kësaj partie po qëndrojnë në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit politike.
Çitaku ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po i “uzurpon” zyrat e qeverisë dhe tha se ai duhet të jetë në Kuvend, bashkë me deputetët, për ta konstituuar këtë institucion dhe për të formuar qeverinë.
“Ne këtu jemi me një qëllim të vetëm: të kërkojmë rivendosjen e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë në vend. Kjo ndërtesë këtu është Qeveria e Republikës së Kosovës, në të cilën edhe unë, edhe profa Enver, e shumë prej nesh kemi pasur nderin me shërbyer. Nuk ka privilegj e nder më të madh se me pasur mundësi me i shërbyer vendit tënd, mirëpo edhe nuk ka krim më të madh se sa kur besimi i qytetarëve keqpërdoret, dhe zyrat e popullit uzurpohen. Këto zyra janë të uzurpuara nga një deputet. Dhe po aq sa ka të drejtë ai të jetë aty, po aq kemi të drejtë edhe ne. Kjo është e para”.
“E dyta, ai duhet të jetë në Kuvend, aty bashkë me ne, për të themeluar institucionet, për të konstituruar Kuvendin. Nuk jemi ne këtu me bere puq! Ne jemi këtu me i thënë Albin Kurtit dhe zotërisë: Eja në Kuvend, shumicën e ke, ndërroje qeverinë dhe ecim tutje. Por ai njeri jashtëligjshëm, pa asnjë lloj mbikëqyrje parlamentare, mbrëmë vonë ka marrë vendime. Kush janë ata që marrin vendime, me çfarë mandati, këtu në ndërtesë të Qeverisë? Pra, ne jemi këtu për me i thënë Albin Kurtit: eja në Kuvend, aty e ke vendin, t’i ndërtojmë institucionet e të ecim tutje”, ka thënë ajo.
Çitaku ka shtuar se po qëndrojnë para objektit të Qeverisë për t’ia kujtuar Kurtit detyrën që e ka, duke shtuar se do të qëndrojnë aty derisa ky i fundit të vie.
“Jo, ne nuk jemi me penguar. Domethënë, ai është bërë pengesë. Ne këtu jemi me ia kujtuar detyrën. Kjo është Qeveria e Republikës së Kosovës e cila jashtëligjshëm është duke u qeverisur, në thonjëza, nga një deputet siç jam unë, siç janë dy kolegët e mi këtu. Jemi këtu me i kthyer po mund mundemi me bërë përpjekje dhe s’kemi me u ndalur! Nuk kemi me u ndalur. Do të rrimë këtu, do të presim sa të vjen ai që i thotë vetes Kryeministër, e më pas po ashtu ju njoftoj që do të jemi sërish në Kuvendin e Kosovës, do të përsërisim kërkesën formale-zyrtare për thirrjen e seancës nesër, sikurse që do të kemi edhe aktivitete të tjera për të cilat do t’ju mbajmë të informuar. Nuk është këtu qëllimi konferencë për shtyp se mundemi me e mbajtur kudo. Këtu jemi me e prit një njeri që jashtëligjshëm e ka uzurpuar këtë zyrë, e deputetëve të tjerë po u pamundëson themelimin e institucioneve”, ka thënë ajo.



