Kuvendi i Republikës së Kosovës më 12 gusht hapi dyert për të rinjtë dhe për mërgimtarët.
Me këto aktivitete krijohej përshtypja sikur gjithçka është në rregull dhe normale në Kuvend.
Veçse kjo ishte një përshtypje e rreme.
E vërteta është se pasi e nënshkruan betimin deputetët dhe pasi partia fituese nuk deshi ta konstituoje Kuvendin, ajo e shtyu seancën konstitutive pa caktuar ndonjë datë, krejt në kundërshtim me Kushtetutên dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës duhet të thirren seanca çdo 48 orë deri sa te konstituohet Kuvendi.
Ky është abuzim publik me demokracinë, me rendin kushtetues dhe me rolin e fituesit.
Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë aktet më të larta të një shteti, që duhet të respektohen për të ruajtur rendin, kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe legjitimitetin.
Mëse 18 muaj partia fituese, LVV dhe kryetari i saj A. Kurti, kanë nëpërkëmbur shtetin e Kosovës, Republikën tonë, duke e dobësuar funksionalitetin real të institucioneve qendrore si Kuvendi, Qeveria e Presidenca, por edhe duke e zbehur besimin te perëndimorët, para së gjithash te aleatët tanë, se i kemi mishëruar vlerat demokratike në ndërgjegjen tonë politike dhe se sillemi konform tyre me kulturë demokratike.
Asnjëra prej partive parlamentare madje as LVV as në zgjedhjet e fundit dhe as ndonjëherë nuk ka kërkuar vota nga qytetarët për ta ndryshuar rendin politik, për ta shkelur kushtetutën, për t’u sjellë me ligjshmërinë sipas interesit partiak duke mos i përfillur ato, për ta dobësuar shtetin në nivel qendror dhe për t’ia ulur prestigjin ndërkombëtarisht.
Votat i kanë kërkuar për të kundërtën.
E po veprohet krejt ndryshe.
Natyrisht, kushtetuta nuk është e paprekshme. Porse ajo është që është tash nuk guxohet të shkilet, sepse nëse kjo ndodhë sot, pra nëse shkilet për pushtet dhe tolerohet kjo shkelje, nesër mund të shkilet edhe për tradhëti! Nëse diçka tregohet jo funksionale në ndonjë përcaktim të Kushtetutës, sikurse po tregohet përcaktimi i zgjedhjes së presidentit, atëherë duhet të ulen partitë parlamentare e të merren vesh, të bëhet edhe dëgjim publik i ekspertëve vendorë, evropian e ndërkombëtar, dhe të gjendet një zgjidhje konsensuale, që të shmangen në të ardhmen krizat e kësaj natyre. Por përderisa nuk arrihet kjo, përderisa ndryshimi nuk është bërë, është detyruese të zbatohet Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
E pikërisht këtë po e bën LVV dhe Kurti si fitues, duke shkaktuar krizë pas krize për çështjen e presidentit. Fituesi po do ta imponojë vullnetin e vet politik, porse në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Njëmend ka fituar 51.1% dhe kjo i jep fuqi për ta konsrituuar Kuvendin dhe zgjedhur qeverinë, por jo dhe presidentin. Këtë e përcakton ndryshe Kushtetuta dhe këto janë rregullat e lojës së demokracisë kosovare.
Këto rregulla tashmë janë thyer disa herë nga partia fituese dhe partitë opozitare në një farë mënyre e kanë toleruar këtë. Kësaj here u dasht të dilte deputetja Time Kadrijaj, një mjeke dhe ushtare e shkëlqyer e UÇK e ta godiste me vezë Albin Kurtin. E bëri në sencë, pikërisht kur ai kërkoi shtyrjen e seancës për një kohë të pacaktuar. Veprimi i Times ishte shprehje e revoltës ndaj nëpërkëmbjes së shtetit të Kosovës, për të cilin ajo ka parë shumë gjak të derdhur nga plagët e ushtarëve të UÇK dhe si mejke ka luftuar me vdekjen për t’i shpëtuar ata.
Megalomania e fituesit e ka bërë Kurtin dhe LVV të sillet me shtetin sikur ai të na ishte falur nga Serbia e jo se e kemi fituar me luftë, sakrificë e flijime dhe me ndihmën e NATO-s ne krye me SHBA-të.
Kush e harron këtë, e koncepton shtetin si një mjet që ta përdor si të dojë, kur në të vërtetë duhet ta përdorë në përputhje dhe ne zbatim të legjislacionit në fuqi.
Këtu nuk është më fjala për korrupsionin, për nepotizmin e abuzimet e tjera financiare me buxhetin e shtetit.
Është fjala për veprimin politik të partisë fituese që sillet me shtetin duke nëpërkembur kushtetutshmërinë.
E kjo sjellje, e cila tashmë është bërë sistematike dhe si strategji e fituesit, pashmangshëm e tjetërson substancën e shtetit, e dhunon frymën e demokracisë sonë.
Më në fund, opozita filloi me mjete demokratike ta kryej detyrën e vet parlamentare.
Ta mbrojë rendin shtetin e Kosovës!
Të kërkojë sjellje konstitucionale të partisë fituese.
Dhe, me pak veprime opozitare, u pa fuqia e saj në mbrojtjen e Republikës dhe të institucioneve qendrore.
Por u shpërfaq edhe intoleranca me 12 gusht në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Përkrahësit e Kurtit e të LVV kërcënuan deputetët opozitarë se “nuk e meritojnë as ajrin”, e madje (nga një person i futur si gjoja mërgimtar) edhe u kërkua hiç më pak se pushkatimi i Ramush Haradinajt, i cili e ka trupin përplot plagë nga plumbat e Serbisë, dhe i cili ishte komandant heroik i luftës çlirimtare në Zonën Operative të Dukagjinit.
Reagimi i deputetëve opozitarë, me veprimet paqësore që i kanë në dispozicion, është legjitim dhe demokratik, madje i vonuar, shumë i vonuar, vonesë kjo e cila tregon kujdesin dhe përgjegjësinë e tyre për të konstatuar goditjen ndaj shtetit, por që kur u bindën se është i planifikuar, atëherë vendosën të reagonte në mbrijtje të shtetit e të demokracisë.
Kurse akuzat e qytetarëve të shprehura në Kuvend shprehin frymën e intoleranës që ka kultivuar LVV, të perceptimit se vetëm partia që ata përkrahin ka të drejtë e të tjerave duhet ‘u ndalet edhe ajri e madje edhe të pushkatohen.
Ndalja e ajeit për njerëzit nuk ka se si të mos na i kujtojë krematoriumet e nazistëve!
Pushkatimet e njerëzve përse mendojnë ndryshe nga partia në pushtet, asociojne me terrorin nazi-fashist!
Kujdes, lehtë mund të rrëshqitet në fashizëm dhe fashistizim të shtetit e të shoqërisë!
Urrejta e intoleranca politike nëse vazhdojne, aty e kanë fundin.
Porse ky do të ishte një fund tragjik.
Tragjik sepse do të çonte në luftë qytetare, vëllavrasëse, prej së cilës realisht nuk do te dilte askush fitues, po të gjithë do të dilnin humbës.
Këtë frymë të intolerancës dhe të trajtimit të të tjerëve si armiq e ka kultivuar nga fillimi Albin Kurti dhe LVV dhe pikërisht këta e kanë për detyrë morale, konstitucipnale e njerëzore, me përgjegjësi para historise dhe për lirinë – ta shuajne dhe ta instalojnë përgjegjësinë e tyre politike në radhë të parë ndaj shtetit e rendit demokratik, ta instalojne bashkëpunimin dhe kompromisin real politik.
Madhështia politike nuk qëndron te fuqia për ta nëpërkembur ligjshmërinë, për t’i manipuluar masat qytetare, po përkundrazi.
Në histori mbeten madhështor ata që trrgojnë fuqinë për ta zbatuar ligjshmërinë në interes të të gjithëve, dhe për t’i frymëzuar qytetarët se askush nuk është mbi ligjin.
Kjo i duhet Kosovës, Republikës sonë, lirisë!
Këtë duhet ta ofrojë fituesi i zgjedhjeve.
Jo akuza (si gjithherë) ndaj partive të tjera, po zgjidhje reale.
Jo diktat, po kompromis.
Jo abuzim me kushtetutshmërinë, po zbatim të saj.
Jo urrejtje e intolerancë, po tolerancë demokratike.
Jo interesin e partisë mbi shtetin, po të shtetit mbi partinë!