Hegseth: ShBA-ja mund ta mbajë bllokadën detare ndaj Iranit për aq kohë sa të jetë e nevojshme
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetet dhe burimet e nevojshme për ta mbajtur bllokadën detare ndaj porteve iraniane për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
“Marina e Shteteve të Bashkuara mund ta mbajë bllokadën për një kohë të pacaktuar”, ka thënë Hegseth për gazetarët, pasi i është drejtuar ekuipazhit të aeroplanmbajtësit “USS Gridley” gjatë stërvitjeve ushtarake shumëkombëshe “PANAMAX 2026” në Panama. Aeroplanmbajtësi “Gridley” ishte dislokuar më herët në Lindjen e Mesme.
Hegseth ka thënë se ShBA-ja mund ta vazhdojë bllokadën duke zëvendësuar anijet që hyjnë dhe dalin nga zona dhe duke dislokuar forca të reja sipas nevojës.
Deklaratat e tij kanë ardhur në kohën kur Uashingtoni dhe Teherani po përplasen lidhur me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë ujore strategjike për transportin global të energjisë.
Para fillimit të luftës mes ShBA-së dhe Iranit në fund të shkurtit, nëpër Ngushticën e Hormuzit kalonte rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka insistuar se ShBA-ja e kontrollon ngushticën. Megjithatë, zyrtarët ushtarakë iranianë e kanë kundërshtuar këtë pretendim, duke thënë se Teherani vazhdon ta ketë kontrollin mbi rrugën ujore dhe të menaxhojë trafikun përmes saj.



