Zelensky kërkon 5 për qind të rezervës amerikane të raketave “Patriot”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara t’i shesin Ukrainës 5 për qind të rezervës së tyre të raketave interceptuese për sistemet “Patriot”, duke argumentuar se kjo do ta ndihmonte vendin të përballonte sulmet ajrore ruse gjatë dimrit.
“Nëse amerikanët na shesin 5 për qind raketa interceptuese ‘PAC-3’ dhe asgjë tjetër, ne do ta përballojmë dimrin dhe do të shpëtojmë jetë”, ka shkruar Zelensky në “Telegram”.
Sipas tij, deri tani Ukrainës i është vënë në dispozicion vetëm rreth 1 për qind e rezervës amerikane të këtyre raketave.
Zelensky ka thënë se nëse ShBA-ja do t’i siguronte Ukrainës 10 për qind të rezervave, forcat ukrainase do të ishin në gjendje të asgjësonin raketat balistike ruse.
Presidenti ukrainas ka paralajmëruar vazhdimisht për vështirësitë e Ukrainës në mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës nga intensifikimi i sulmeve ruse me raketa.
Sipas Zelenskyt, Ukraina këtë vit ka dy herë e gjysmë më pak raketa interceptuese sesa në vitin 2025, ndërsa Rusia ka rritur prodhimin e raketave balistike dhe po shfrytëzon dobësimin e mbrojtjes ajrore ukrainase për të shtuar përdorimin e tyre.



