I arrestuari për spiunazh kishte biznes edhe në sektorin e energjisë, ja kompanitë që zotëronte

14 gusht 2026 | 15:00

Fehim Sali, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh, rezulton të jetë pronar i një kompanie të regjistruar në sektorin e energjisë elektrike. Të dhënat publike të regjistrit të bizneseve tregojnë se ai zotëron 100 për qind të “Wind Energy” SH.P.K., kompani kjo e regjistruar për prodhimin e energjisë elektrike.

Fehim Sali është arrestuar nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit. Ai dyshohet të ketë pasur lidhje me shërbimin sekret serb BIA.

Por, përveç dyshimeve që lidhen me rastin penal, në bazë të të dhënave publike, Sali është i përfshirë në sektorin e energjisë.

“Wind Energy”, kompani për prodhimin e energjisë elektrike

Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve, “Wind Energy” SH.P.K. është regjistruar më 15 gusht 2022. Kompania është e regjistruar në Kërstec të Dragashit.

Në regjistër, aktiviteti kryesor i saj figuron si “Prodhimi i energjisë elektrike”. Kompania ka kapital të deklaruar prej 100 mijë eurosh dhe në të figurojnë dy punëtorë.

Fehim Sali figuron si pronar i 100 për qind të “Wind Energy” SH.P.K., si dhe si drejtor menaxhues i saj, raporton Insajderi.


Një biznes tjetër në emër të tij

“Wind Energy” nuk është i vetmi biznes që figuron në pronësi të Fehim Salit.

Ai figuron edhe si pronar i “Fehim Sali B.I.”, i regjistruar në Dragash.

Ky biznes është regjistruar më 1 shtator 2014. Sipas të dhënave publike, aktiviteti kryesor i tij lidhet me kultivimin e kulturave për prodhimin e pijeve, ndërsa ndër aktivitetet e tjera figuron edhe kultivimi i frutave, shkurreve dhe arrave. Biznesi përdor edhe emrin tregtar “Plantazha SEME”.

Pra, nga regjistrat publikë, Fehim Sali rezulton i lidhur me dy biznese, një në sektorin e energjisë elektrike dhe një në sektorin e bujqësisë.

Biznesi i tij ka marrë pjesë edhe në tender të Komunës së Prizrenit

Hulumtimi në databazat publike të prokurimit tregon se Fehim Sali B.I. ka marrë pjesë edhe në një tender të Komunës së Prizrenit.

Bëhet fjalë për tenderin “Ngritja e pemishteve me arrë dhe lajthi në Komunën e Prizrenit”. Tenderi kishte vlerë të parashikuar prej 118 mijë eurosh.

Në këtë procedurë, Fehim Sali B.I. kishte paraqitur ofertë prej 99,994 eurosh. Megjithatë, ky biznes nuk e fitoi tenderin. Sipas databazës së D+, kontrata iu dha FIDANEX SH.P.K., me vlerë prej 187,761 eurosh.

Fehim Sali është arrestuar të enjten nën dyshimin për spiunazh pas një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.

Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq, shkruan Insajderi.

Ai ishte i angazhuar si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit.

Sali më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentit. Ai ishte emëruar në vitin 2022, me mandat dy-vjeçar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i njohur gjerman, Felix Magath, ka vizituar sot zyrat…