Sorenseni: Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka vdekur, ka dhënë rezultate konkrete
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se dialogu i Brukselit “nuk ka vdekur” dhe se së fundmi ka sjellë rezultate konkrete, përfshirë përparimin për personat e zhdukur dhe disa marrëveshje praktike.
“Dialogu vazhdon dhe ka dhënë rezultate konkrete, përfshirë përparimin e fundit në lidhje me personat e zhdukur dhe marrëveshjet praktike që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Sorensen për “Kosovapress”.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2023 dhe Aneksit të Ohrit mbetet i pamjaftueshëm. “Zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2023 është ende i pamjaftueshëm. Të dyja palët duhet të përshpejtojnë përmbushjen e obligimeve të tyre. Nuk ka alternativë ndaj procesit të normalizimit”, ka thënë ai.
Sorenseni ka theksuar se institucionet funksionale në Kosovë e lehtësojnë zbatimin e marrëveshjeve, por obligimet e dialogut mbeten të vlefshme pavarësisht zhvillimeve politike.
Ai ka përsëritur se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e vitit 2023 dhe aneksin e Ohrit, përfshirë obligimet lidhur me vetëmenaxhimin e komunitetit serb.
Sa i përket rolit të ShBA-së, Sorenseni ka thënë se dialogu udhëhiqet nga BE-ja, ndërsa ShBA-ja mbetet partner i rëndësishëm. “Shtetet e Bashkuara janë një partner i rëndësishëm dhe koordinimi i ngushtë ndërmjet BE-së dhe ShBA-së e mbështet procesin e normalizimit”, ka thënë ai.
Sipas tij, përgjegjësia për zbatimin e marrëveshjeve mbetet te Kosova dhe Serbia. “Partnerët e jashtëm mund ta lehtësojnë dhe mbështesin procesin, por vetë palët duhet t’i përmbushin obligimet e tyre”, ka theksuar Sorenseni.



