‘Nga infiltrimi në institucione te rekrutimi i vahabistëve’, Latifi: Kapja e spiunit të BIA-s dëshmon projektin e inteligjencës serbe kundër Kosovës
Analisti Blerim Latifi ka reaguar lidhur me rastin e Fehim Salit, i arrestuar nën dyshimet për spiunazh në BIA-në serbe në Kosovë.
Latifi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se i arrestuari ishte ngarkuar me tri detyra kryesore: infiltrimin brenda institucioneve të Kosovës, identifikimin dhe fotografimin e zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe mbledhjen e informacioneve për persona të rrymës vahabiste me qëllim të rekrutimit të tyre në BIA.
Sipas Latifit, këto veprime kanë pasur një qëllim të përbashkët – goditjen e shtetit të Kosovës nga brenda institucioneve dhe nga jashtë, përmes shfrytëzimit të rrjeteve vahabiste.
Ai tha se rasti dëshmon se “vahabizmi në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga projektet më të mëdha të inteligjencës serbe kundër shtetit të Kosovës”.
Latifi ka kritikuar edhe atë që e konsideron si mbyllje të syve ndaj këtij fenomeni, duke thënë se një pjesë e shoqërisë, sipas tij, në mënyrë pasive po ndihmon dëmtimin e së ardhmes së shtetit.
“Qysh moti e kemi thënë këtë gjë, por njerëzit këtu[ jo të gjithë, kuptohet] kanë zgjedhur t’i mbyllin sytë e veshët dhe, kështu, në mënyrë pasive të ndihmojnë shkatërrimin e të ardhmes së këtij shteti. Një individ mund ta shpëtosh nga agresioni i tjetrit, por jo edhe kur ai vendos ta shkatërrojë veten. Kjo, natyrisht, vlen edhe për kombet e shtetet”, tha Latifi.
Postimi i plotë:
Shikoni me vëmendje tri llojet e detyrave që BIA i paska ngarkuar këtij spiuni të saj nga Dragashi: të infiltrohet brenda institucioneve të Kosovës [nga fotot shihet se ka arritur deri në zyrat më të larta të shtetit], të identifikojë zyrtarë të AKI-së përmes fotografimit të tyre dhe të mbledhë informacione për anëtarë të rrymës vahabiste, me qëllim rekrutimin e tyre në BIA.
Të tria këto detyra pikëtakohen në një qëllim: të goditet shteti i Kosovës nga brenda tij dhe nga jashtë përmes vahabizmit.
Kapja e këtij spiuni nxjerr edhe një herë sheshit faktin se vahabizmi në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga projektet më të mëdha të inteligjencës serbe kundër shtetit të Kosovës.
Qysh moti e kemi thënë këtë gjë, por njerëzit këtu[ jo të gjithë, kuptohet] kanë zgjedhur t’i mbyllin sytë e veshët dhe, kështu, në mënyrë pasive të ndihmojnë shkatërrimin e të ardhmes së këtij shteti.
Një individ mund ta shpëtosh nga agresioni i tjetrit, por jo edhe kur ai vendos ta shkatërrojë veten.
Kjo, natyrisht, vlen edhe për kombet e shtetet.



