“Ekziston rreziku real që të arratiset”: Një muaj paraburgim për personin që bëri thirrje të pushkatohet Haradinaj
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim Skender Llugiqit, personit që nga Kuvendi i Kosovës bëri thirrje për pushkatimin e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Në një njoftim për media, Gjykata e ka arsyetuar vendimin me atë se nëse i pandehuri lihet në liri, ai mund të arratiset.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit S.LL., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që, në rast se i pandehuri lihet në liri, ai të arratiset me qëllim të shmangies dhe fshehjes nga përgjegjësia penale, duke u bërë i paarritshëm për organet e drejtësisë. Një rrethanë e tillë do ta pamundësonte sigurimin e pranisë së tij dhe do të pengonte zhvillimin e rregullt dhe efikas të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
I njëjti, pak ditë më parë derisa po qëndronte në sallën e Kuvendit të Kosovës, bëri thirrje për burgosjen dhe pushkatimin e Haradinajt.
Llugiqi, mbante në duar një pankartë dhe bërtiste duke kërkuar pushkatimin e Haradinajt:
“Nëse duhet me u dënu Milan Radojiçiq 20 vjet, Ramush Haradinaj duhet 40, 50, 100, duhet me u pushkatu”.



