Rama: Kryetarët e komunave do të protestojnë në shtator para qeverisë Kurti

18 gusht 2026 | 12:33

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të me dije se kryetarët e komunave të Kosovës do të organizojnë protestë në shtator para qeverisë, në shenjë kundërshtimi ndaj asaj që e cilësojnë si bllokim të mjeteve dhe projekteve të pushtetit lokal.

Rama ka thënë se kryetarët e komunave janë bashkuar kundër, siç e ka quajtur ai, “shkeljes së vazhdueshme të ligjit dhe qasjes totalitare të Qeverisë Kurti ndaj pushtetit lokal”.

“Sot, të gjithë kryetarët e komunave jemi bashkë. Bashkë do të jemi edhe në shtator, në protestë para qeverisë Kurti!”, ka shkruar Rama në “Facebook”.

Sipas tij, paralajmërimi gjatë fushatës zgjedhore lokale se nuk do t’u ndahen mjete komunave që nuk qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje, tashmë është shndërruar në praktikë të bllokimit të mjeteve dhe pengimit të projekteve.

“Paralajmërimi gjatë fushatës zgjedhore lokale se ‘nuk do t’u japim buxhet komunave që nuk qeverisen nga Vetëvendosje’, sot po materializohet në një praktikë të rrezikshme: bllokim të mjeteve, pengim të projekteve dhe ndëshkim financiar të komunave që nuk kontrollohen nga pushteti”, ka shkruar ai.

Rama ka pretenduar se që nga viti 2022 komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro për obligime që, sipas tij, nuk i kanë krijuar vetë.

“Mbi 344 milionë euro u janë marrë komunave që nga viti 2022 për obligime që nuk i kanë krijuar vetë”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.

Ai ka thënë se bllokimi i mjeteve po pengon investimet dhe po synon, sipas tij, nënshtrimin e pushtetit lokal përmes presionit financiar dhe politik.

“Po bllokohen mjete dhe po pengohen investime që u takojnë qytetarëve. Po tentohet që pushteti lokal të nënshtrohet përmes presionit financiar dhe politik”, ka shkruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka theksuar se komunat nuk duhet të trajtohen si pronë e kryetarëve, por si institucione që u përkasin qytetarëve.

“Komunat nuk janë të kryetarëve! Komunat janë të qytetarëve!”, ka shkruar ai.

Rama ka akuzuar qeverinë se po i trajton komunat në mënyrë të ndryshme në varësi të përkatësisë së tyre politike.

“Kur qeveria bllokon një komunë vetëm sepse nuk e qeveris Vetëvendosje, nuk po lufton një kryetar. Po ia mohon qytetarit një rrugë, një çerdhe, një shkollë apo një shërbim vetëm për shkak të mënyrës se si ai ka votuar”, ka shkruar Rama.

Në fund, ai e ka cilësuar këtë qasje si diskriminuese dhe të rrezikshme për demokracinë.

“Nuk mundesh me i nda qytetarët në ‘me neve’ dhe ‘me ata’ dhe me vendos me blloku paranë publike sipas hartës elektorale!”, ka përfunduar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Neda Balluku ka bërë një rrëfim tejet të sinqertë në…