Vrasja e turistit në Ksamil, 11 të arrestuar, dy në kërkim

19 gusht 2026 | 08:48

Vrasja e turistit nga Portugalia në Ksamil ka vënë në pranga 11 persona, ndërsa policia ka shpallur në kërkim edhe 2 të tjerë. Për ngjarjen e rëndë të ndodhur në një lokal në Ksamil, ku mbeti i vrarë 20-vjeçari Luis Miguel Varela Mendes, policia vendosi fillimisht në pranga autorin e dyshuar, Sokrat Vata, alias Sokrat Lipan.

Vata u arrestua në mesditë në afërsi të Levanit, në tentativë për t’u arratisur, ku u gjet i fshehur në bagazhin e automjetit. Bashkë me autorin e dyshuar u prangosën edhe dy shtetas turq, të cilët po e ndihmonin të largohej.

Për ngjarjen e rëndë që tronditi Ksamilin mëngjesin e kësaj të marte, pak orë pas arrestimit të Vatës dhe dy shtetasve turq, u vendosën në pranga edhe 9 persona të tjerë.

Sipas policisë së qytetit bregdetar, i riu nga Portugalia është dhunuar edhe nga katër kamarierë të lokalit, të cilët tashmë janë në pranga, si dhe nga një person tjetër që po ashtu është përfshirë në konflikt me viktimën.

Pas hekurave kanë përfunduar edhe punonjës të Policisë, të cilët punonin gjatë natës si truproja në lokal. Ata, edhe pse kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, nuk kanë ndërhyrë për të shuar konfliktin. Përveç mosreagimit, punonjësit e Policisë nuk kanë njoftuar as sallën operative.

Edhe pronari i lokalit ka qenë dëshmitar i ngjarjes, por sërish nuk ka njoftuar autoritetet dhe ka vendosur të largohet nga vendi i ngjarjes.

Policia bën me dije se ndaj personave të arrestuar rëndojnë disa akuza, duke nisur nga “Vrasja me dashje” deri te “Moskallëzimi i krimit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë identifikuar tre personat që humbën jetën dhe dy të…