Luftë dhe korrupsion: Zelensky pushon nga puna vartësen e vet

19 gusht 2026 | 17:25

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkarkuar të mërkurën zëvendës shefen e Zyrës Presidenciale, Iryna Mudra, në të njëjtën ditë kur hetuesit kundër korrupsionit në Ukrainë nisën një operacion të gjerë ndaj një organizate të dyshuar kriminale, ku përfshihen politikanë dhe zyrtarë të lartë.

Lajmi për shkarkimin e Mudrës u bë i ditur nga Zyra e Presidentit, përcjell Euronews.

Ajo ishte përgjegjëse për çështjet ligjore dhe reformën në drejtësi në administratën presidenciale, ndërsa më herët kishte shërbyer si zëvendësministre e Drejtësisë.

Në kuadër të operacionit, mediat ukrainase raportuan se Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) kishte kontrolluar ambiente të lidhura me Mudrën dhe deputetin Vadym Stolar.

NABU dhe Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit (SAPO) njoftuan se po zhvillonin një operacion për zbulimin e një “organizate kriminale”, e cila, sipas tyre, drejtohej nga një deputet aktual dhe një ish-deputet ukrainas dhe përfshinte zyrtarë të lartë të Zyrës Presidenciale.

Institucionet hetimore nuk kanë bërë fillimisht të ditur identitetet e personave të përfshirë dhe as akuzat konkrete ndaj tyre, duke deklaruar se detajet do të publikohen më vonë.

Hetimi, i koduar “Forest Gump”, është rasti më i fundit i një serie hetimesh të profilit të lartë për korrupsionin që kanë prekur administratën e Zelenskyt.

Në kuadër të operacionit, NABU ka publikuar edhe pjesë të bisedave të përgjuara, pa identifikuar publikisht personat që dëgjohen. Në regjistrime duket se diskutohen çështje që lidhen me regjistrimin e pasurive në emër të fëmijëve, si dhe referenca ndaj Zyrës Presidenciale.

Ndërkohë, deputeti Vadym Stolar është zgjedhur në parlament si pjesë e platformës pro-ruse Opposition Platform – For Life, e cila u ndalua pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.

Aktualisht ai është pjesë e grupimit parlamentar Restoration of Ukraine, të formuar kryesisht nga ish-anëtarë të kësaj force politike.

Operacioni i fundit zhvillohet në një periudhë kur NABU dhe SAPO po hetojnë një seri dyshimesh për korrupsion në nivelet më të larta të politikës ukrainase.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NATO ka deklaruar se është e gatshme të përballet me…