Bëhen bashkë ish-komandantët e UÇK-së, Shukri Buja: I presim të lirë, ish- krerët që po gjykohen në Hagë
Ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja, ka ndarë emocionet e tij nga një takim i veçantë me bashkëluftëtarë, Azem Sylën, Gani Kocin, Adem Grabovcin e Ramë Bujën, ku u rikujtuan momentet dhe rrugëtimi i gjatë drejt lirisë.
Buja ka thënë se takimi këtë herë nuk ishte vetëm për të kujtuar të kaluarën, por edhe për të pritur me shpresë ditën kur bashkëluftëtarët e tyre do të kthehen sërish të lirë mes tyre.
Postimi i plotë i tij:
Një takim i veçantë me shumë emocione, biseda e kujtime për rrugëtimin e gjatë drejt lirisë. Një takim që këtë herë nuk ishte vetëm për të kujtuar të kaluarën, por edhe për të pritur me shpresë ditën kur shokët tanë do të kthehen sërish të lirë mes nesh.
Edhe pak ditë… pas një pritjeje kaq të gjatë. Edhe pak durim… pas kaq shumë vitesh. E mbi të gjitha, edhe pak shpresë se shumë shpejt do t’ju kemi përsëri pranë, bashkëluftëtarë. Le të jetë kjo pritja e fundit. Le të jetë kthimi juaj një ditë gëzimi për të gjithë ata që nuk ju harruan kurrë. Liria vonon, por shpresa nuk vdes! Bashkëluftëtarë, ju presim të lirë mes nesh!



