Jashari: Deputetët e LV-së ta respektojnë mandatin që ua kanë dhënë qytetarët, Kuvendi duhet të konstituohet
Deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) edhe sot, në orën 11:00, kanë qenë të pranishëm në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku do të duhej të mbahej vazhdimi i seancës konstituive, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës sipas moshës, Avni Deharit, që ta thërrasë seancën në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
“Prandaj, sot nuk po ju kërkoj të hiqni dorë nga mandati që ju kanë dhënë qytetarët. Po ju kërkoj ta respektoni atë. Kthejuni përgjegjësisë. Kthejuni institucioneve. Kthejuni punës. Sepse Kosova ka nevojë për më shumë besim mes duarve që e ndërtojnë atë. Dhe Kosova nuk ka kohë për të pritur”, ka thënë Jashari.
Ajo ka drejtuar kritika ndaj deputetit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, sipas saj, i kanë uzurpuar institucionet e nivelit qendror dhe po përpiqen të marrin më shumë kompetenca edhe nga komunat.
“Dhe pyetja është shumë e thjeshtë: A është kjo mungesë besimi ndaj institucioneve lokale, apo është dëshirë për të pasur gjithnjë e më shumë pushtet? Sepse, nëse nuk arrin ta konstituosh Kuvendin, nëse nuk arrin të ndërtosh kompromis me të paktën një pjesë të përfaqësimit politik të qytetarëve, si mund të pretendosh se përgjigjja për një shtet më funksional është te marrja e edhe më shumë kompetencave?”, ka thënë Jashari.
PDK-ja do t’i drejtohet përsëri kryesuesit të seancës sipas moshës, Avni Dehari, me kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive brenda 48 orëve.



