Kurti: Dosjet e Brigadës së Motorizuar 37 duhet të hapen tash në vitin 2026, jo në 2044

24 gusht 2026 | 12:15

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se tashmë ka nisur faza e identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura në lokacionet në Zubin Potok, ndërsa ka kërkuar nga Serbia hapjen e arkivave shtetërore që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

“Tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër, atë të identifikimit, pasi veçse janë marrë dhe dërguar për analizë të ADN-së mostrat e mbetjeve që dyshohet se u përkasin katër personave të gjetur në fshatin Jabukë. Ndërsa, për të tjerët po vazhdon procesi paraprak i ekzaminimeve në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Policinë e Kosovës, të enjten e javës së kaluar prezantuan një sasi të madhe të armatimit të gjetur ndërmjet këtyre lokacioneve, armë këto që po ashtu janë nisur për ekzaminim dhe analizë për lidhjen potenciale të tyre me krimin dhe masakrat në këto tri lokacione. Të dashur qytetarë, numri 23 përkon me atë që njihet si grupi i intelektualëve, të cilët më 19 prill të vitit 1999 u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal. Por procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë. Andaj, vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe, bashkë me familjet, t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”.

“Është e papërshkrueshme e dhimbshme pritja kaq e gjatë dhe ankthi i përjetuar nga familjarët e të zhdukurve me dhunë. Secili gërmim e secila informatë për një të tillë të mundshëm, secili lokacion e secili emër. Qindra familje kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por kërkojnë edhe drejtësi”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka akuzuar Serbinë se po refuzon të hapë arkivat dhe se kjo, sipas tij, po pengon zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

“Të dyja, zbardhja e fatit, sikurse edhe drejtësia, u janë mohuar dhe po mohohen nga Serbia, që duke fshehur e duke mos i pranuar krimet, si dhe duke refuzuar të hapë arkivat e duke i klasifikuar ato, synon të tjetërsojë të vërtetën dhe t’i ikë përgjegjësisë. E nuk mjaftohet me këtë, Serbia arreston e përndjek edhe ata pak serbë që kanë guxuar të dëshmojnë tek institucionet ndërkombëtare. Andaj, më shumë se kurrë, në momente si ky, faktorët ndërkombëtarë duhet ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior që të zbatojë deklaratën për personat e zhdukur me dhunë, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, duke hapur dhe vënë në dispozicion arkivat shtetërore që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Doemos më duhet ta përsëris thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra posaçërisht në Drenicë, por edhe gjithandej Kosovës, dhe dosja e së cilës para 12 vjetësh është klasifikuar për 30 vjet. Pra, ajo mbetet e klasifikuar edhe 18 vjet të tjera. Familjet që kanë pritur 27 e 28 vjet nuk mund të dënohen me pritje, ankth e dhimbje edhe për 18 vjet të tjera. Andaj, trysnia ndërkombëtare është jetike në këtë proces. Dosjet e arkivuara dhe të klasifikuara të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave duhet të hapen tash nga shteti i Serbisë, pra sivjet në vitin 2026 e jo në vitin 2044”, ka deklaruar Kurti.

Kurse, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur gjatë luftës, Agron Limani, ka thënë se gjetjet e fundit në komunën e Zubin Potokut janë rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për gjetjen e personave të zhdukur me dhunë.

“Ne duam të themi një gjë që këto nuk janë përpjekjet e para dhe të fundit që janë bërë me këtë zonë. Pra, përpjekje të tjera për të hulumtuar, për të gjetur varreza, qoftë varre individuale, qoftë varre kolektive apo masive, janë bërë që nga fillimi i vitit, të këtij viti. Natyrisht, janë bërë edhe viteve të tjera, por, për fat të keq, kjo ka rezultuar pa gjetje konkrete, pra me rezultate negative. Falë përkushtimit të institucioneve tona, në radhë të parë falë përkushtimit të segmentit të sigurisë, respektivisht të njësisë së policisë për hulumtimin e personave të zhdukur, këto përpjekje në muajin gusht kanë rezultuar me gjetje konkrete. Sikurse e ceki kryeministri, ne kemi pasur fat, të themi fat në fatkeqësi, për faktin se kemi zbuluar tri varre masive, falë, të themi, edhe rrethanave, falë atyre që kanë shpjeguar rrethanat në të cilat janë zhdukur kjo masë njerëzish. Dhe varri i parë masiv ka qenë, ndoshta po i bie po e përsëris edhe një herë, ka qenë në Kalludër, ku janë identifikuar mbetjet mortore të 13 personave, të cilët ose janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Po ashtu, varri i dytë, në të cilin kanë qenë katër mbetje mortore, respektivisht kanë qenë trupa të kompletuar, për fat të mirë, edhe ato janë dërguar. Dhe në fund, varri i tretë masiv në Kalludër, i cili ka rezultuar me gjetjen e gjashtë mbetjeve mortore. Pra, 23 persona deri më tani janë identifikuar dhe procesi i zhvarrimit ka përfunduar me sukses”, ka deklaruar Limani.

Ndërsa Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur tha se gjetjet në tri lokacionet janë afro 300 metra në vijë ajrore nga njëra-tjetra, ndërkaq lokacioni në Jabukë është rreth 1 kilometër larg.

“Po flasim për tri lokacione të varreve masive, pra tri varre masive në pjesën veriore, ose më saktësisht në verilindje të Republikës së Kosovës. Më saktë, në pjesën e komunës së Zubin Potokut, fshatrat Dret, Kalludër, Jabukë, Crepuljë, pra në një zonë që i bie të jetë në juglindje të komunës së Zubin Potokut. Kemi tri varre masive në atë zonë, duke filluar nga lokacioni i parë që është në Kalludër, siç u potencua, që tanimë është konfirmuar nga gjetjet e mbetjeve mortore që, në këtë rast, po flasim për minimumin së paku për tre persona, së paku tri viktima të zhdukura me forcë. Lokacioni i dytë në Jabukë dhe lokacioni i tretë po ashtu në Kalludër, në një distancë ajrore, në këtë rast, mes lokacionit të parë dhe lokacionit të tretë janë më pak se 300 metra. Ndërsa, lokacioni i parë në raport me lokacionin e dytë, po ashtu në raport me lokacionin e tretë me lokacionin e dytë, po flasim diku për rreth 1 kilometër vijë ajrore, edhe pse, për shkak të specifikave të terrenit, pjesa e rrugës në këtë rast merr shumë më shumë kohë në raport me pjesën e distancës”.

“Pra, kemi tri lokacione të varreve masive të konfirmuara. Siç e theksova, numri minimal i individëve ose personave të zhvarrosur, ose mbetje mortore që përfaqësojnë së paku 20 persona. Së paku katër javë punë në terren, pra nga data 27 deri sot, po flasim për një stinë të punës atje. Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm institucional për ndriçimin e fatit dhe lokacionit të personave të zhdukur me forcë, siç e theksat edhe ju, në fund është intensifikuar puna hetimore, operacionale dhe e inteligjencës operative dhe, mirë e ndërlidhur me zonën e Zubin Potokut?”, ka thënë Gara, duke shtuar se janë të fokusuar në rastet e personave të zhdukur me forcë nga kjo zonë.

“Më saktësisht, është për këtë rastin e njohur si grupi i intelektualëve, për 23 bashkëqytetarët tanë, kryesisht nga komuna e Mitrovicës dhe Skenderajt, të cilët, në rrugëtimin e tyre nga fshati Kotorr i komunës së Skenderajt në drejtim të Malit të Zi, janë rrëmbyer dhe zhdukur në mes të fshatrave Dret, Kalludër dhe Jabukë, diku më 19 prill nga forcat ushtarake të ish-Ushtrisë Jugosllave. E po ashtu, edhe në rastin e familjes Isufi, Teka, katër anëtarët e së cilës ishin rrëmbyer dhe zhdukur më 20 prill 1999, ndonëse ka disa shënime me tjetër datë, 18 prill, kur është data që kanë dalë për herë të fundit nga shtëpitë e tyre në fshatrat e Kestovës, Çabrë të komunës së Zubin Potokut. Megjithatë, sipas dëshmitarëve, janë rrëmbyer e zhdukur më 20 prill të vitit 1999 në fshatin Jabukë të komunës së Zubin Potokut. Nga dëshmia, të dhënat e terrenit tek procesi i identifikimit është një rrjedhë kronologjike. Më 19 prill ’99 zhdukja e grupit të intelektualëve dhe më 20 prill rasti i familjes Isufi. Megjithatë, gjetjet në terren dhe të dhënat e tanishme, sigurisht, në këtë rast na çojnë te rasti i zhdukjes me forcë të grupit të intelektualëve. Mbase kjo do të përcaktohet në fazat e mëtejshme në kuptim të identifikimit individual përmes analizës së ADN-së”.

“Puna intensive hetimore e Sektorit për Personat e Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, së bashku me njësitë e tjera përkatëse të Policisë dhe Sigurisë, kanë mundësuar sigurimin dhe trajtimin e informatave, të cilat kanë orientuar aktivitetet fillimisht në drejtim të lokacionit në Kalludër. Po flasim për një angazhim në mënyrë të veçantë gjatë këtyre tri muajve të fundit, me një dinamikë dhe intensitet të shtuar të kolegëve të Policisë”, ka thënë Gara. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka…