Milot Avdyli kontaktohet nga Kosova, pret të marrë ftesë për ndeshjet e shtatorit
Me golin e tij të bukur, kampioni i Sllovenisë, Celje, është një hap pranë kualifikimit historik në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi i Kosovës, Milot Avdyli, shënoi një supergol të mërkurën e kaluar ndaj kampionit të Sllovakisë, Slovan Bratislavës, në ndeshjen e parë që përfundoi 1:1.
Për duelin e kthimit, këtë të mërkurë në Celje, Avdyli, duke folur për mediat sllovene, ka thënë se shpreson të arrijë dy objektiva.
“Të luaj në Ligën e Kampionëve dhe në ekipin kombëtar të Kosovës janë dy qëllimet e mia, të cilat shpresoj t’i arrij këtë muaj.
Për Kosovën kam luajtur me të gjitha gjeneratat dhe isha edhe kapiten i ekipit U21. Është ëndërr e madhe e imja të luaj për ekipin e parë të Kosovës dhe, me këto paraqitje, shpresoj se do të më ftojnë.
Më kanë kontaktuar, por ende nuk është 100 për qind e sigurt që do të më ftojnë, kështu që në ndeshjet e fundit më duhet të tregoj se e meritoj ftesën”, ka thënë Avdyli.
Ish-kapiteni i Kosovës U21 është pjesë e ekipit slloven që nga viti i kaluar, kur erdhi nga Ukraina, ndërsa më parë ka luajtur në Zvicër dhe në Kosovë.



