Kadrijaj, Kurtit: Je shkelës i Kushtetutës dhe qëllimshëm po rrënon sistemin kushtetues
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e ka zhvendosur flamurin kombëtar nga ulësja e Albin Kurtit në Kuvend te foltorja.
Në fjalën e saj, ajo ka akuzuar Kurtin se qëllimisht po e shkatërron sistemin kushtetues të vendit.
Ndërsa, ka përmendur edhe dy kauzat për të cilat, siç ka deklaruar ajo, Kurti ka ardhur në pushtet.
“Po i drejtohem Albinit, për ku je nisur Albin, je në rrugën dhe në trenin e gabuar. Do të dua të flas për dy kauza për të cilat Albin Kurti ka ardhur në pushtet. Ka qenë kauza e Astrit Deharit dhe çfarë kanë bërë këta për këtë kauzë për gjashtë vjet, le që nuk kanë punuar në atë drejtim, por edhe i kanë humbur faktet. Ju e dini që në fushatën e fundit kanë bërë fushatë edhe me emrin e heroit Afrim Bunjaku. Ne e respektojmë, lavdi për heroin e Policisë që ka rënë në Banjskë dhe e respektojmë edhe familjen e tij, edhe Policinë e Kosovës, por çfarë kanë bërë. Në atë kohë, të gjithë deputetët opozitarë jemi mobilizuar që në Bruksel të kërkojmë që të vendosen sanksione ndaj Serbisë për shkak të kësaj vrasjeje, për shkak të cenimit të sovranitetit dhe integritetit dhe çka kemi bërë ne si Kosovë, në vend të kësaj ne e kemi shpërblyer Serbinë me gati gjysmë milionë euro për renovimin e trenave të Albin Kurtit dhe vagonëve të trenit”, ka deklaruar ajo.
“Po dua t’i them Albinit, nuk mundesh me këtë flamur ata trena t’i përcjellësh në Serbi, as me flamur të Kosovës. Ata trena mundesh me i përcjellë vetëm me flamur të Serbisë. O shkelës i Kushtetutës, o patriot me bateri, nuk mundesh me u kamuflu as me këtë flamur të shenjtë, por as me asgjë tjetër, sepse ti je shkelës i Kushtetutës dhe qëllimshëm po rrënon sistemin kushtetues”, ka deklaruar ajo.



