Abdixhiku pret ambasadorin francez në takim lamtumirës, diskutojnë për situatën politike në Kosovë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në Kosovë.
Gjatë takimit, Abdixhiku ka shprehur mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e afërta që LDK-ja dhe institucionet e Kosovës kanë ndërtuar me Ambasadën e Francës gjatë mandatit të ambasadorit Guerot.
Ai ka vlerësuar lart angazhimin e vazhdueshëm të ambasadorit francez në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe kontributin e tij në avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet dhe gjendjen aktuale politike në Kosovë, me theks të veçantë në rëndësinë e funksionimit të institucioneve demokratike, stabilitetit politik dhe perspektivës evropiane të vendit.
Abdixhiku ka theksuar se në këtë periudhë, përkrahja e partnerëve strategjikë të Kosovës, veçanërisht e Francës, mbetet e rëndësishme për konsolidimin demokratik të vendit dhe avancimin e agjendës euroatlantike.
“Kryetari Abdixhiku vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Francës janë të ndërtuara mbi miqësi, partneritet dhe interesa të përbashkëta, duke shprehur bindjen se këto marrëdhënie do të vazhdojnë të thellohen edhe në të ardhmen”, ka njoftuar LDK-ja.
Abdixhiku i ka uruar ambasadorit Guérot suksese të mëtejshme në angazhimet e tij profesionale dhe personale, duke e falënderuar për kontributin e tij gjatë shërbimit diplomatik në Kosovë.



