Aktakuza për Fatmir Shehollin, Mirsim Beqiri: Para 12 vitesh ju tregova për këtë spiun
Mirsim Beqiri nga Podujeva, i cili jeton në Prishtinë, ka reaguar pas publikimit të aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, duke rikujtuar një shkrim të tij të publikuar më 13 tetor 2014.
Beqiri ka thënë se në atë kohë kishte shkruar publikisht për Shehollin, duke e akuzuar për spiunazh dhe maltretim të shqiptarëve, si dhe kishte përmendur babanë e tij, Maliqin.
Sipas tij, pas publikimit të shkrimit kishte marrë telefonata nga persona të cilët e kishin paralajmëruar që ta largonte shkrimin, pasi, siç pretendon ai, mund të arrestohej nga Policia dhe EULEX-i.
“Largoje shkrimin, se kanë me të arrestu policia dhe EULEX-i”, ka shkruar Beqiri në ‘Facebook’, duke theksuar se nuk e kishte larguar shkrimin.
Ai thotë se sot, 12 vjet më vonë, publikimi i aktakuzës nga Prokuroria Speciale e ka rikthyer në vëmendje qëndrimin e tij të atëhershëm.
Beqiri ka pohuar gjithashtu se shkrimi i tij i vitit 2014 nuk është më i qasshëm në Gazeta Express dhe se në atë kohë kishte qenë ndër të paktët që e kishte kritikuar publikisht Shehollin.
Në fund të reagimit, Beqiri ka bërë thirrje që të hetohen edhe persona të tjerë që, sipas tij, kanë qenë të afërt me Shehollin, duke thënë se nuk dëshiron të presë edhe 12 vjet për të parë nëse pretendimet e tij do të rezultojnë të sakta.




