Lushaku-Sadriu: Katër ditë para fillimit të mësimit, rreth 200 mijë nxënës nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore

27 gusht 2026 | 11:27

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për, siç ka thënë ajo, vonesat në sigurimin e teksteve shkollore, vetëm pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.

Ajo ka thënë se edhe këtë vit shkollor nxënësit dhe prindërit po përballen me rrëmujë, vonesa dhe pasiguri për shkak të, siç është shprehur ajo, papërgjegjësisë së institucioneve përgjegjëse.

Lushaku-Sadriu ka bërë me dije se rreth 200 mijë nxënës të klasave 1 deri në 9 ende nuk e dinë se kur do t’i kenë tekstet shkollore.

“Edhe një vit shkollor po fillon me rrëmujë, vonesa, ankth të prindërve, për shkak të papërgjegjësisë së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm katër ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore. Prindërit presin subvencionet, libraritë presin prindërit, ndërsa fëmijët rrezikojnë të ulen përsëri në bankat shkollore pa libra. E Ministria e Arsimit, sot, më 27 gusht, ende nuk e ka caktuar as shumën e subvencionimit për librat!”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Deputetja është shprehur se institucionet kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, pasi data e fillimit të vitit shkollor ka qenë e ditur prej kohësh.

“Data e fillimit të vitit shkollor dihej botërisht. Ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur, jo ta lë organizimin, kur zilja e parë është gati të bjerë. Kjo qasje është poshtëruese ndaj nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve dhe dëshmi e një Ministrie që nuk arrin ta organizojë me kohë as procesin më elementar të fillimit të vitit shkollor”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.

Ajo ka theksuar se, sipas saj, një situatë e ngjashme është përsëritur gjatë pesë viteve të fundit.

“Tash e pesë vite e njëjta skenë: vendime në minutën e fundit, prindër që vrapojnë pas librave, vonesa në furnizim dhe nxënës që e fillojnë shkollën pa kushtet më bazike për mësim. Fëmijët dhe familjet tona po e paguajnë çmimin e paaftësisë së një të ashtuquajture Qeveri në detyrë, që veç në detyrë nuk është!”, ka shkruar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë,…