Ramosaj: Krerët e UÇK-së do të kenë gjithçka që kërkohet prej meje
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, duke thënë se do të jetë në dispozicion të tyre për çdo gjë që kërkohet prej tij.
Ramosaj, në emisionin “Fol me Arin”, është shprehur se nuk e kishte imagjinuar se do të vinte një situatë në të cilën do të duhej të protestohej për ish-krerët e UÇK-së.
“Nuk kisha pasur qejf me ardh në këtë situatë ku ne dalim në protestë në muajin shtator. Nuk e kisha imagjinu, nuk e kam pa ëndërr ndonjëherë që unë si Bashkim po flas tash si person fizik e që në këtë rast jam edhe kryetar komune, e kam një autoritet edhe një subjektivitet edhe publik, nuk e kisha imagjinuar veten ndonjëherë që dal në protesta për tema të tilla”, ka thënë Ramosaj.
Ai ka theksuar se katër ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë i konsideron si shembull të luftëtarëve dhe prijësve që kontribuuan në çlirimin e Kosovës.
“Sa i përket krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krejt çka është e nevojshme, krejt çka kërkohet prej meje, unë kam me qenë në funksion të tyre, për shkak se mendoj që janë modeli më i mirë i luftëtarëve, i prijësve të një rezistence që e ka sjellë lirinë e vendit”, ka deklaruar Ramosaj.
Ramosaj ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë i gatshëm të kontribuojë dhe të mbështesë ish-krerët e UÇK-së në këtë proces.



