Mashtronte familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019, arrestohet 45-vjeçarja në Tiranë

27 gusht 2026 | 15:43

Një skemë e dyshuar mashtrimi ndaj familjeve të prekura nga tërmeti i vitit 2019 në Fushë-Krujë është zbuluar nga Policia e Tiranës, ndërsa një 45-vjeçare ka përfunduar në pranga.

Siç raporton A2 CNN, bëhet fjalë për Ina Cakajn, e cila dyshohet se kishte ngritur një skemë për përfitim parash, duke u prezantuar si punonjëse e administratës shtetërore.

Sipas hetimeve, ajo u premtonte familjeve të dëmtuara nga tërmeti se do të ndërhynte për t’u siguruar dëmshpërblime ose banesa të reja, kundrejt pagesave që varionin nga 1 mijë deri në 10 mijë euro.

Deri në këtë fazë të hetimit, dyshohet se janë mashtruar rreth 30 persona, ndërsa dëmi financiar llogaritet në afro 60 milionë lekë të vjetra.

Dyshohet se viktimat i besonin 45-vjeçares për shkak të pretendimit të saj se kishte lidhje dhe ndikim në institucionet shtetërore dhe se mund të ndërhynte për përfitimin e kompensimeve pas tërmetit.

Gjatë kontrolleve dhe veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar edhe dokumente dhe certifikata familjare në emër të personave të dyshuar të dëmtuar, të cilat po verifikohen për mënyrën se si janë përdorur.

Ndaj Ina Cakajt rëndojnë akuzat për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë të…