“Ekziston një incizim 2-orësh”, Haradinaj: Sheholli dëshmoi kundër meje dhe Thaçit në UDB

27 gusht 2026 | 22:30

Daut Haradinaj, në emisionin “Jehona Politike”, ka folur për informatat që, sipas tij, u dërgohen deputetëve dhe zyrtarëve të ndryshëm, duke thënë se disa prej tyre shoqërohen edhe me prova.

“Personalisht, kontakte të ndryshme, çdo ditë jam i bindur që, qysh më shkruajnë mua, u dërgojnë me dhjetëra deputetëve, zyrtarëve të tjerë dhe njerëzve të caktuar. Krejt janë anonimë. Po t’i jep provat, faktet, nuk ka aty dyshim, janë gjëra të prekshme”, tha Haradinaj.

Duke folur për rastin e Fatmir Shehollit, Haradinaj tha se ekziston një incizim ku, sipas tij, Sheholli raporton në UDB-në në Beograd për të dhe ish-presidentin Hashim Thaçi.

“Për shembull, përmendët Shehollin. Ekziston një incizim dy orë, ky duke raportuar në UDB në Beograd kundër Hashim Thaçit e Daut Haradinajt para katër viteve. Ekziston ai incizim dhe nuk e nxjerrin në publik”, tha ai.

Haradinaj theksoi se informatat dhe provat e tilla duhet t’u dorëzohen institucioneve kompetente.

“Ka sende që nuk duhet me i zbuluar. Ka sende që duhet me ia dhënë AKI-së, ka sende që duhet me ia dhënë prokurorisë. Institucionet përkatëse duhet t’i kryejnë detyrat e tyre. Mendoj se boshti kurrizor i shtetit të Kosovës është Policia, AKI-ja dhe ushtria. Këta e kryejnë detyrën në mënyrën më perfekte”, u shpreh ai.

Haradinaj tha se e konsideron normale edhe bashkëpunimin e institucioneve të inteligjencës së Kosovës me shërbime të tjera të inteligjencës. /Klankosova.tv

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Daut Haradinaj nga Aleanca ka folur në emisionin “Jehona Politike”…