Maqedonci dhe zyrtarja e NATO-s diskutojnë për sigurinë në rajon
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim Blanca Hereza Atienza, udhëheqëse e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s, së bashku me delegacionin e saj.
Gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e sigurisë në rajon, situata aktuale dhe rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.
Maqedonci ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO-n, si dhe kontributin e Aleancës në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil në Kosovë dhe rajon.
Ai ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n dhe për të kontribuar, sipas kapaciteteve të saj, në sigurinë dhe stabilitetin rajonal e ndërkombëtar. “Vlerësova bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO-n dhe kontributin e Aleancës për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil në Kosovë dhe rajon. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n dhe për të kontribuar, me kapacitetet tona, në sigurinë dhe stabilitetin rajonal e ndërkombëtar”, ka theksuar Maqedonci.



