Prishtina zgjeron mësimin tërëditor, kufizohet numri i nxënësve në klasa

29 gusht 2026 | 09:28

Mësimi tërëditor në shkollat e Komunës së Prishtinës do të zgjerohet këtë vit shkollor edhe në katër shkolla të reja, si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin dhe riorganizimin e procesit mësimor.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, për Ekonomia Online ka bërë të ditur se përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor janë drejt përfundimit, ndërsa krahas zgjerimit të mësimit tërëditor, janë vendosur edhe masa të reja për regjistrimin e nxënësve dhe organizimin e mësimit, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, synimi kryesor mbetet krijimi i kushteve më të mira për nxënësit dhe rritja e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies.

“Jemi në fazën përfundimtare dhe sigurisht që gjatë gjithë kësaj vere kemi bërë përgatitjet për të filluar viti i ri akademik shkollor, me të cilin nxënësit do të jenë të pranishëm në të gjitha shkollat e Prishtinës. Çdo shkollë e Prishtinës  të jetë gati në hapësirën teknike, por edhe atë të pjesës së furnizimit me materiale pedagogjike në shkolla. Prandaj, si Komunë e Prishtinës jemi gati. Kësaj here jemi gati për të zgjeruar edhe mësimin tërëditor në katër shkolla të reja, që do të jenë: Shkolla “Mehmet Gjevori”, “Afrim Gashi”, shkolla në Vranidoll dhe po ashtu “Asim Vokshi”, e cila kësaj radhe do të marrë sërish përsipër paralelet prej 1-shit deri në të 5, me të cilën nxënësit do të barten nga “Zejnel Hajdini” në “Asim Vokshi”, tha ai.

Sa i përket numrit të nxënësve, Elshani u shpreh se këtë herë janë vendosur kufizime për të regjistruarit në klasat e para, ku një klasë do ketë 30 nxënës, ndërsa është bërë pamundësimi i regjistrimit të nxënësve të komunave tjera.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar…