Musmurati: Në mbrojtje të pronës publike dhe Ndërmarrjes Publike Banesore

29 gusht 2026 | 17:23

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka deklaruar se mbrojtja e pronës publike dhe e Ndërmarrjes Publike Banesore duhet të jetë prioritet, teksa ka kërkuar nga Gjykata Supreme që ta mbrojë interesin publik në rastin për të cilin beteja ligjore ende vazhdon.

“Përderisa beteja ligjore për këtë rast ende vazhdon dhe shpresojmë që Gjykata Supreme të mbrojë interesin publik, është e rëndësishme të ndalemi te disa fakte që kërkojnë përgjigje.

Si është e mundur që për një projekt të paligjshëm, në të cilin nuk është investuar asnjëherë, të njihet një dëm prej mbi 32 milionë eurosh? Dhe si mund të ndodhë një gjë e tillë në një afat kaq të shkurtër?

Këto janë pyetje që nuk mund të anashkalohen, veçanërisht kur bëhet fjalë për pasurinë publike dhe për një ndërmarrje publike që u shërben qytetarëve.

Kërkojmë nga Gjykata Supreme që ta trajtojë këtë rast me urgjencë dhe të marrë masat e nevojshme në mbrojtje të interesit publik. Çdo vonesë apo vendim që do ta cenonte pasurinë publike mund të ketë pasoja të rënda dhe të paparashikueshme për Ndërmarrjen Publike Banesore.

Njëkohësisht, ftojmë publikun, mediat, organizatat joqeveritare dhe të gjitha institucionet relevante që ta përcjellin nga afër këtë rast dhe të ushtrojnë rolin e tyre në mbrojtje të interesit publik.

Pasuria publike duhet të mbrohet. Ajo nuk mund të tjetërsohet apo të përdoret për përfitime abuzive multimilionëshe të kompanive private.

Ky është një rast që kërkon transparencë, përgjegjësi dhe mbrojtje të interesit të qytetarëve”, ka deklaruar Musmurati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Behgjet Pacolli Për hir të transparencës, po e publikoj…