Hoti: Serbia të mbahet përgjegjëse për të zhdukurit e luftës në Kosovë

01 shtator 2026 | 00:16

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka zhvilluar takim në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku ka ngritur çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Hoti ka bërë të ditur se në takim me përfaqësues të sekretariatit të Komitetit të OKB-së për Zhdukjet me Forcë dhe të Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ka kërkuar angazhim më të fuqishëm ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

“Në takim ngritëm çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe kërkuam angazhim më të fuqishëm ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të tyre”, ka shkruar Hoti.

Ai ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për detyrimet që rrjedhin nga Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë.

“Duke pasur parasysh se Serbia është shtet palë në Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, kërkuam që ajo të mbahet përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga kjo Konventë”, ka deklaruar ai.

“Përfaqësuesve të OKB-së u dorëzuam edhe një kërkesë zyrtare, përmes së cilës kërkuam intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare për sigurimin e informacionit dhe dokumentacionit që mund të ndihmojë në lokalizimin e personave të zhdukur, zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së tyre dhe avancimin e drejtësisë”, ka shkruar Hoti.

Ministri në detyrë ka theksuar se familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë ta dinë të vërtetën, pavarësisht kohës që ka kaluar nga lufta.

“Çështja e personave të zhdukur me dhunë nuk mund të mbetet peng i kohës apo i vullnetit politik. Familjet kanë të drejtë të dinë të vërtetën. Drejtësia dhe përgjegjësia nuk kanë afat”, ka thënë Hoti.

Në delegacionin që mori pjesë në takimet në Gjenevë ishin edhe Mirishahe Limani Hiller, themeluese e Shoqatës Kulturore në Gjenevë “Dora d’Istria”, Lisa Mazzone, kryetare e Partisë së të Gjelbërve të Zvicrës, Sebastien Gricourt, ish-anëtar i KNKK-së, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe ukrainas.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Propozimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir…