LV-ja zhvillon aksion simbolik para Komunës së Prishtinës për gjendjen me mbeturinat
Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, ka zhvilluar të martën një aksion simbolik para objektit të Komunës së Prishtinës, në shenjë proteste për gjendjen me mbeturinat në kryeqytet.
Gjatë aksionit, hyrja e objektit të komunës është bllokuar me thasë me mbeturina. Megjithatë, aksioni ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi ndërmarrja “Pastrimi” ka reaguar dhe i ka larguar thasët nga hyrja e komunës.
Asamblisti i LV-së në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, ka deklaruar se përmes këtij aksioni është synuar të tërhiqet vëmendja për, siç e ka quajtur ai, gjendjen alarmante me mbeturinat në kryeqytet.
“Ky aksion simbolik shpërfaq një problematikë jashtëzakonisht shqetësuese në Komunën e Prishtinës. Problemi i mbeturinave nuk ka qenë kurrë në historinë e kryeqytetit në këtë nivel kaq alarmant. Shumica e lagjeve të Prishtinës janë shndërruar pothuajse në deponi mbeturinash”, ka deklaruar Azemi.
Ai ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, duke e akuzuar se nuk po merret mjaftueshëm me problemet e qytetit.
“Zotëri Rama, në vend se të ishte kryetar i Komunës së kryeqytetit, është shndërruar në një vegël të Partisë Demokratike”, ka deklaruar Azemi.
Ai ka shtuar se Komuna e Prishtinës për vite me radhë nuk ka blerë mjete të reja për pastrimin e mbeturinave, ndërsa ka kritikuar edhe mënyrën e funksionimit të ndërmarrjes “Pastrimi”.
“Prishtina nuk ka qenë kurrë më e ndotur dhe Komuna e Prishtinës për vite të tëra nuk ka blerë as edhe një kamionetë të vetme për pastrimin e mbeturinave. Në ndërmarrjen ‘Pastrimi’ janë të punësuar rreth 900 punëtorë, por vetëm 100 e diçka prej tyre merren me pastrimin e qytetit”, ka deklaruar ai.
Azemi ka kritikuar edhe mënyrën e funksionimit të ndërmarrjes “Pastrimi”, duke thënë se problemet me mbeturinat dhe çështjet e tjera në kryeqytet duhet të jenë në fokus të kryetarit.
“Pra kjo flet se si i kanë shkatërruar ndërmarrjet duke punësuar zyrtarë administrativë edhe në Ndërmarrjen ‘Pastrimi’, e cila do të duhej t’i shërbente për mirëmbajtjen e qytetit.
Këto skandale të njëpasnjëshme, skandalet e pronave, skandalet në Ndërmarrjen Publike Banesore, kjo gjendje alarmante me mbeturina, normalisht se duhet të ishin temat me të cilat merret kryetari i kryeqytetit, por si duket atij më shumë po i intereson të merret me temat e nivelit qendror. Nuk ka të keqe të merret me temat e nivelit qendror, por ai duhet ta dijë se është kryetar i kryeqytetit dhe duhet të merret kështu me problemet e qytetarëve të Prishtinës”, ka deklaruar Azemi.
Pas këtij aksioni të zhvilluar para objektit të komunës, aty është parë edhe Inspektorati.







