Peci kundër protestës së kryetarëve të komunave: Ka agjendë tërësisht politike
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar ndaj protestës së sotme të disa kryetarëve të komunave kundër Qeverisë së Kosovës.
Peci ka deklaruar se protesta nuk ka të bëjë me interesin e qytetarëve, por me, siç e ka quajtur ai, “agjendën e pazarit”.
“Jam kundër protestës së nxitur me agjendë politike”, ka shkruar Peci në “Facebook”.
Sipas tij, çështjet e komunikimit ndërinstitucional duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe jo përmes protestave të organizuara nga kryetarët e komunave.
“Komunikimi ndërinstitucional duhet të zgjidhet përmes dialogut. Kjo nismë që synon të krijohet si praktikë, ku disa kryetarë komunash paralajmëruan të marrin pjesë në një protestë kundër qeverisë, ka agjendë tërësisht politike dhe nuk e avancon ngritjen e shërbimit ndaj qytetarit”, ka deklaruar ai.
Peci ka komentuar edhe barrën financiare të komunave, duke theksuar se qindra milionë euro të detyrimeve komunale nuk janë obligime të qeverisë aktuale.
“Qindra milionat euro e barrës financiare të komunave nuk janë obligime të qeverisë së Albin Kurtit, por janë obligime të qeverisë PAN”, ka shkruar Peci.
Në postimin e tij, Peci ka përsëritur qëndrimin se protesta e disa kryetarëve të komunave nuk është e lidhur me interesin e qytetarëve.
“Protesta e sotme e disa kryetarëve të komunave nuk e ka hallin e qytetarit, por agjendën e pazarit”, ka shkruar ai.



