Mustafa: 6 deputetët e LDK-së janë njerëz që s’i bën rrotë askush
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se gjashtë deputetët kundërshtues të kësaj partie “nuk bien në agjendat e askujt”.
Mustafa ka deklaruar se të gjashtë deputetët i kanë qëndruar besnikë LDK-së.
Ish-kryetari i LDK-së ka thënë se nuk e ka përcjellë intervistën e Lumir Abdixhikut dhe ka refuzuar të komentojë deklaratat e tij.
“Nuk mund të përgjigjem për deklarimin e Abdixhikut. Nuk e kam përcjellë. Sa i përket deputetëve të LDK-së, nuk i njoh të gjithë. Por më ka rënë të punoj me deputetët e LDK-së që u shprehën kundër marrëveshjes me LV-në. Jo me deputeten Janina Ymeri, e cila, për sa po e përcjell, po tregohet shumë profesionale në fushën e saj dhe parimore në qëndrime politike. Me të tjerët nuk është se jemi pajtuar çdoherë. Janë njerëz që kanë bindjet dhe pikëpamjet e tyre. Të ditur, të arsimuar, nga mjedise që kanë dhënë shumë për Kosovën. Në mesin e tyre: akademikë, profesorë universitarë, kryeministër, drejtues, zëvendëskryeministër, nënkryetar i Kuvendit, ministra, kryetarë të komisioneve parlamentare… Janë që s’i bën rrotë askush. Janë njerëz që në esencë i kanë qëndruar besnikë LDK-së. Vetëm kështu i njoh unë!”, ka deklaruar Mustafa për “RTV21”.
Deklaratat e ish-kryeministrit Isa Mustafa kanë pasuar akuzat e kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i cili ka thënë se gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen me LVV-në po punojnë me agjendë të huaj brenda LDK-së.



