Gashani pret në takim kampionen Donjeta Sadiku: Kosova është me ty
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pritur sot në ambientet e ministrisë boksieren kosovare Donjeta Sadiku, pas paraqitjes së saj të suksesshme në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Gashani e ka vlerësuar lart suksesin e Sadikut, e cila është shpallur kampione në këtë ngjarje sportive, duke e ngritur flamurin e Kosovës në majën e podiumit.
“Sot në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë prita kampionen tonë të artë, Donjeta Sadikun. Pas paraqitjes së jashtëzakonshme në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, ku na bëri të gjithëve krenarë dhe ngriti flamurin e Kosovës në majën e podiumit, ishte kënaqësi e veçantë ta presim dhe ta falënderojmë për këtë sukses”, ka shkruar Gashani në rrjetet sociale.
Ai ka bërë të ditur se Sadiku tashmë po përgatitet për garat evropiane, duke i uruar sukses edhe në këtë sfidë.
Ndërkohë, Gashani ka deklaruar se Ministria e Sportit dhe Rinisë do të vazhdojë mbështetjen për sportistët kosovarë, duke paralajmëruar edhe hapa institucionalë për vlerësimin e arritjeve të sportistëve që kanë fituar medalje në Taranto.
“Si Ministri, do të vazhdojmë të mbështesim sportistët tanë dhe sukseset e tyre, përfshirë edhe hapat institucionalë për vlerësimin e arritjeve të tilla për Donjetën dhe të gjithë sportistët e tjerë që po na kthehen me medalje nga Taranto”, ka shkruar ai.
Në fund, ministri i ka uruar suksese të mëtejshme kampiones kosovare, duke i përcjellë mesazhin: “Kosova është me ty”.




