Xheko i jep fund karrierës me me Bosnjën e Hercegovinën, më 2 tetor ndeshja e fundit

03 shtator 2026 | 14:29

Edin Xheko ka konfirmuar zyrtarisht se do t’i japë fund karrierës me Kombëtaren e Bosnjë-Hercegovinës.

Sulmuesi i FC Schalke 04 ka bërë një postim tejet emocional, duke njoftuar se ndeshja e 2 tetorit ndaj Suedisë do të jetë e fundit e tij me fanellën e përfaqësueses.

“Herë pas here kam menduar se kur do të vinte ky moment, por kurrë nuk e kam imagjinuar se sa emocional do të ndihesha duke i shkruar këto fjalë. Më 2 tetor, ndaj Suedisë, do ta luaj ndeshjen time të radhës dhe të fundit për Kombëtaren”, shkroi Xheko.

40-vjeçari e ka përfaqësuar Bosnjën për gati dy dekada. Ai debutoi në vitin 2007 ndaj Turqisë dhe deri tani ka regjistruar 151 paraqitje dhe 73 gola, duke qenë lojtari me më së shumti ndeshje dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares.

“Asgjë në karrierën time nuk mund të krahasohet me krenarinë që kam ndjerë sa herë kam veshur këtë fanellë. Ishte ëndrra ime e fëmijërisë dhe e kam mbajtur me vete në secilën prej 151 paraqitjeve për vendin tim”, shkroi “Dijamanti”.

Xheko kujtoi edhe momentet më të veçanta me Bosnjën, përfshirë kualifikimin për Kupën e Botës 2014, si dhe emocionet pas golave dhe ndeshjeve që bashkuan tifozët boshnjakë në rrugët e qyteteve.

“Për mua, të luaja për vendin tim ka qenë mundësia më emocionale që futbolli më ka dhënë ndonjëherë. Tani ndiej se ka ardhur koha të tërhiqem”, tha ai.

Xheko u ka bërë thirrje tifozëve që të jenë të pranishëm më 2 tetor ndaj Suedisë, për të ndarë bashkë edhe një emocion të fundit.

“Dua që natën time të fundit ta përjetoj me të gjithë ju pranë meje, duke veshur fanellën që e kam dashur që nga fëmijëria – dhe që do ta dua për pjesën tjetër të jetës”, tha Xheko.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pritur sot…