ShBA shoqëron 40 anije me 18 milionë fuçi naftë përmes Ngushticës së Hormuzit

04 shtator 2026 | 08:42

Ushtria amerikane ka shoqëruar rreth 40 anije tregtare, që transportonin gjithsej rreth 18 milionë fuçi naftë, përmes Ngushticës së Hormuzit, në atë që zyrtarët amerikanë e përshkruajnë si operacionin më të madh të këtij lloji që nga fillimi i luftës, raportoi CNN, duke cituar dy zyrtarë amerikanë të njohur me operacionet.

Sipas zyrtarëve, gjatë operacionit të së martës, forcat amerikane përdorën mjete ajrore, detare dhe hapësinore për të mbrojtur anijet tregtare, ndërsa njëkohësisht goditën objektiva iraniane pranë ngushticës. Forcat amerikane neutralizuan gjithashtu raketa lundruese kundër anijeve dhe zmbrapsën sulme me dronë.

Operacioni përfshiu goditjen e rreth 60 objektivave ushtarake iraniane, mes tyre sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë, mjete detare, pajisje për vendosjen e minave dhe qendra komunikimi, sipas zyrtarëve të cituar nga CNN.

ShBA kërkon të dobësojë aftësinë e Iranit për të kërcënuar trafikun detar

Strategjia amerikane është përqendruar gjithnjë e më shumë te sigurimi i Ngushticës së Hormuzit, goditja e kapaciteteve iraniane pranë saj dhe pengimi i eksporteve të naftës nga portet iraniane.

Një zyrtar amerikan e përshkroi fushatën si një proces të vazhdueshëm të goditjes së kapaciteteve iraniane, pasi Teherani ka treguar se mund të rikthejë pjesërisht aftësitë ushtarake të dëmtuara.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi gjithashtu se sulmet e fundit kishin synuar, ndër të tjera, radarët iranianë që përdoren për të gjurmuar anijet në ngushticë.

“Ata po përpiqeshin të shihnin anijet”, tha Trump, sipas CNN. “Nuk mund t’i shohin, sepse nuk kanë radar, sepse ne e shkatërruam.”

Administrata amerikane pretendon se ngushtica po bëhet një aset gjithnjë e më pak i dobishëm për Iranin si instrument presioni ndaj tregtisë ndërkombëtare.

Kompanitë e transportit mbeten skeptike

Pavarësisht operacioneve amerikane të shoqërimit, kompanitë e transportit dhe analistët e industrisë mbeten skeptikë ndaj pretendimeve të Uashingtonit se ka vendosur “kontroll të plotë” mbi ngushticën.

Sipas personave të njohur me situatën, kompanitë po vendosin në mënyrë individuale nëse do të kalojnë përmes kësaj rruge. Kostoja e marrjes me qira të një naftëtankeri për kalimin nëpër ngushticë është rritur ndjeshëm dhe, sipas disa vlerësimeve të cituara nga CNN, mund të kalojë 500 mijë dollarë në ditë.

Edhe sigurimi i anijeve mbetet shumë më i shtrenjtë se para konfliktit, duke rritur më tej kostot dhe rreziqet për operatorët.

Situata është edhe më e ndërlikuar për anijet që transportojnë gaz natyror të lëngshëm (LNG). Sipas një zyrtari amerikan, operatorët e këtyre anijeve janë veçanërisht të kujdesshëm për shkak të pasojave potencialisht katastrofike në rast të goditjes nga një dron, minë ose raketë.

17 milionë fuçi në ditë?

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi më herët se më shumë se 17 milionë fuçi naftë në ditë kishin kaluar përmes ngushticës të hënën, një rekord që nga fillimi i luftës.

“Ky nuk është kontroll iranian mbi ngushticën”, tha Bessent për CNBC, sipas CNN.

Megjithatë, një person i njohur me industrinë i tha CNN-it se administrata Trump ende nuk ka fituar besueshmëri të mjaftueshme për pretendime të tilla. Kompanitë detare vazhdojnë t’i marrin vendimet për kalimin në mënyrë individuale, duke peshuar rrezikun ushtarak kundrejt përfitimit financiar.

Shumica, nëse jo të gjitha, nga 40 anijet e shoqëruara të martën kishin fikur transponderët e tyre për të shmangur zbulimin, sipas njërit prej zyrtarëve amerikanë.

ShBA planifikon zgjerimin e korridorit të sigurt

Ushtria amerikane synon të vazhdojë operacionet pranë Ngushticës së Hormuzit dhe të zgjerojë korridorin detar të pastruar nga minat. Objektivi është që, deri muajin e ardhshëm, anijet tregtare të kenë më shumë hapësirë për manovrim dhe të rritet gradualisht volumi i naftës që kalon përmes ngushticës.

CNN raportoi se ka identifikuar edhe disa nga anijet tregtare që kaluan përmes ngushticës të martën, me flamuj nga vende të ndryshme, përfshirë Arabinë Saudite dhe Francën.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë pranojnë se nuk presin një zgjidhje të shpejtë të konfliktit. Sipas tyre, do të duhet kohë dhe operacione të vazhdueshme për të dëmtuar kapacitetet iraniane dhe, paralelisht, për të bindur industrinë detare se kalimi përmes Hormuzit është mjaftueshëm i sigurt.

Më herët, SHBA-ja kishte tentuar një operacion të ngjashëm shoqërimi, të quajtur “Project Freedom”, por ai u ndërpre pasi njoftimi për operacionin shkaktoi shqetësime te aleatët kryesorë amerikanë në Gjirin Persik.

Sipas CNN, muaj më vonë, situata në rajon ka hyrë në një fazë tjetër dhe mbështetja e partnerëve rajonalë për operacionet amerikane të shoqërimit duket më e madhe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një algoritëm i bazuar në inteligjencën artificiale mund të përdoret…