Aktakuza për Prekazin: ‘Legija’ ishte në krye të sulmit ndaj Jasharëve
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, lidhur me sulmin e rëndë të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në lagjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.
Kreu i njësisë për operacione speciale të Serbisë, Milorad Ulemek “Legija” është një prej të dyshuarve të identifikuar për sulmin ndaj familjes Jashari.
Prokurori i rastit, Valdet Gashi, ka thënë se, bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit, është vërtetuar dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer krime lufte gjatë sulmit në Prekaz.
“Si rezultat i hetimit, bazuar në provat materiale dhe personale, kemi arritur t’i identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët i përkasin pozitave të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe. Provat e siguruara gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, duke filluar nga mosha 5-vjeçare, gra dhe të moshuar. Përveç tjerash, është provuar se gjatë këtij sulmi, forcat e njësive speciale serbe kishin marrë peng nga shtëpitë e tyre banorë të lagjes Jashari, me të cilin rast i kishin maltretuar në mënyrat më të ndryshme”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka bërë me dije se gjatë kësaj masakre janë vrarë 26 civilë, në mesin e tyre fëmijë, gra dhe të moshuar.
Sipas aktakuzës, viktima më e re ishte pesëvjeçare.



