Dehari cakton 9 shtatorin për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit

04 shtator 2026 | 15:31

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive më 9 shtator.

Dehari ka bërë me dije se këtë vendim e mori duke u thirrur në marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së me kandidat për President, Bekim Sejdiun.

Dehari ka thënë se “pret” që deri më 9 shtator deputetët të jenë të gatshëm “për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese”.

“Si kryesues i seancës konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00. Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese. Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka shkruar Dehari në “Facebook”.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar më 7 gusht. Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues pas kërkesës së kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për “kohë shtesë”, të cilën ia ka aprovuar bashkëpartiaku i tij, Dehari, si deputeti më i vjetër i legjislaturës së XI-të.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje politike që kandidati i tyre për president të jetë Bekim Sejdiu.

Por, këtë marrëveshje nuk e kanë përkrahur gjashtë deputetë të LDK-së, pa votat e të cilëve Sejdiu nuk mund të zgjidhet.

Ndërkohë, partitë tjera e kanë akuzuar Kurtin për cenim të rendit kushtetues dhe uzurpim të institucioneve.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kastriot Dugolli shpall të pavlefshme 4 dëftesa si dhe diplomën…