Kreshnik Uka, ylli që po bën dallimin te Malisheva: Mund të shpallemi kampionë të Kosovës
Nëse Malisheva e ngre nivelin dhe tregon konsistencë nga ndeshja në ndeshje, atëherë mund ta fitojë edhe titullin e kampionit të Kosovës. Kështu ka deklaruar ylli më në formë i skuadrës, Kreshnik Uka.
31-vjeçari është ambientuar shpejt te skuadra e Thomas Brdariq, pasi iu bashkua nga Prishtina, ku menjëherë ka nisur të bëjë dallimin me gola. Në vetëm tetë paraqitje, ai tashmë e ka tundur rrjetën plot shtatë herë, duke përfshirë ndeshjet në elitën e futbollit kosovar dhe kualifikueset për garat evropiane.
Malisheva ishte e pafat në Evropë, pasi eliminoi Vllazninë e Shkodrës, ndërsa në raundin pasues shorti e përballi me Hibernianin. Malisheva është eliminuar pas dy ndeshjeve, me rezultat të përgjithshëm 4-3.
Sidoqoftë, Malisheva ka treguar një nivel krejt tjetër në Superligën e Kosovës. Brenda katër xhirove të para, Malisheva është lidere me 10 pikë, ndërsa ende nuk e ka provuar “shijen” e humbjes.
Uka u ka dhënë lëvdata lojtarëve dhe stafit të trajnerëve për formën që po kalojnë, derisa ka theksuar se duhet ta ruajnë këtë ritëm.
“Kam filluar mjaft mirë sezonin me gola, duke i ndihmuar skuadrës. Momentalisht është një edicion interesant, edhe pse është herët të vlerësohet. Padyshim që merita është e lojtarëve dhe e gjithë stafit të trajnerëve. Besoj që duhet ta mbajmë këtë ritëm edhe më tutje”, ka thënë Uka për “Telegrafin”.
Përkundër formës fantastike, objektivi kryesor i Malishevës mbetet kualifikimi në garat evropiane, ndonëse Uka shpreson për diçka më shumë. “Normal, objektivi kryesor është dalja në Evropë, por pse jo edhe titulli kampion. Nëse e rrisim nivelin e paraqitjeve nga loja në lojë, me ndihmën e Zotit mund të shpallemi edhe kampion”, ka thënë ai.



