Çitaku: PDK-ja ishte e gatshme për zgjidhje, LV-ja zgjodhi bllokadën
Kandidatja e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çitaku ka thënë se PDK-ja ka qenë në Kuvend me qëllimin që të përmbyllej procesi i konstituimit dhe të merrte fund bllokada institucionale.
“PDK-ja sot ishte në Kuvend me një qëllim të vetëm: që Kuvendi të konstituohej dhe bllokada të merrte fund. Por edhe këtë herë, Vetëvendosje nuk e përmbylli procesin. Zgjodhi bllokadën, edhe përtej afateve të veta fiktive kushtetuese”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se PDK-ja ishte e gatshme të kontribuonte për gjetjen e një zgjidhjeje dhe funksionalizimin e Kuvendit, pavarësisht kërkesave apo vendimeve për nënkryetarët.
“PDK-ja ishte e gatshme të kontribuonte për zgjidhje dhe për funksionalizimin e Kuvendit, sipas çfarëdo kërkese apo vendimi për nënkryetarët. Për LV-në, fatkeqësisht, skemat ndryshojnë, por qasja mbetet e njëjtë: bllokimi, jo zgjidhja”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka kritikuar Vetëvendosjen edhe për pasojat që, sipas saj, kjo situatë po i shkakton shtetit dhe qytetarëve, veçanërisht në prag të 16 shtatorit, kur pritet vendimi për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Dhe kjo në dëm të shtetit, të qytetarëve dhe, posaçërisht, në prag të 16 shtatorit, kur pritet vendimi për çlirimtarët tanë. Kosova do të duhej ta kishte Kuvendin të konstituuar para 16 shtatorit. Kjo s’ka asnjë dilemë!”, ka shkruar Çitaku.



