LV-ja sot kundër Çitakut për nënkryetare, por më herët ishte gati ta votonte për kryetare
Lëvizja Vetëvendosje sot (e mërkurë) është deklaruar kundër kandidaturës së Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së.
Deputetja e LV-së, Arbërie Nagavci, pas ndërprerjes së seancës konstituive, ka thënë se kjo parti nuk do ta votojë as Çitakun dhe as Kujtim Shalën për nënkryetarë të Kuvendit.
Sipas Nagavcit, Çitaku dhe Shala kanë deklaruar publikisht se nuk do ta votojnë presidentin, andaj, sipas saj, nuk kanë pse t’i kërkojnë votat e LV-së për nënkryetarë të Kuvendit.
Por, një qëndrim tjetër për Çitakun, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e kishte shprehur më 21 prill të këtij viti.
Kurti kishte deklaruar se LV-ja ishte e gatshme ta votonte Çitakun për kryetare të Kuvendit, në kuadër të një “rokade” me Albulena Haxhiun, në këmbim të mbështetjes së PDK-së për zgjedhjen e presidentit.
“Unë i kam ofruar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të bëhet një rokadë në mes kryetares aktuale, që është edhe ushtruese e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe nënkryetares së PDK-së, që në këtë rast është Vlora Çitaku. Pra, lirisht PDK-ja le ta bëjë kryetar të Kuvendit Bedri Hamzën ose Vlora Çitakun dhe Albulena Haxhiu bëhet nënkryetare e Kuvendit dhe vazhdojmë tutje”, kishte thënë Kurti.
Njëjtin propozim, Kurti e kishte bërë për LDK-në.
Kështu, ndërsa sot LV-ja kundërshton kandidaturën e Çitakut për nënkryetare të Kuvendit, më herët Kurti kishte shprehur gatishmërinë që ajo të votohej nga LV-ja për kryetare të Kuvendit, në kuadër të një marrëveshjeje me PDK-në. /Epoka e re



