Termi “populli serb”, Ramadani: Ky është një manipulim i radhës nga VV
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me përdorimin e termit “populli serb”, duke e cilësuar këtë si një manipulim politik.
Duke folur në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Ramadani tha se Vetëvendosje po përdor standarde të dyfishta në raport me terminologjinë që lidhet me komunitetin serb.
Ai përmendi edhe bashkëpunimin e kaluar të Vetëvendosjes me Listën Serbe, duke rikujtuar se Goran Rakiq kishte qenë ministër në qeverinë Kurti.
“E mundshme është që nuk i ka penguar fare në vitin 2021 termi “populli serb”, për shkak se Lista Serbe ka qenë në qeveri me ta. Kuptoni, Goran Rakiq ka qenë ministër i qeverisë Kurti”, deklaroi ai.
Sipas Ramadanit, përdorimi i këtij argumenti nga Vetëvendosje në situatën aktuale është pjesë e një strategjie politike.
“Çka po dua me thënë është se gjuhën qysh do e vendos. Ky është një manipulim i radhës për vetmin qëllim, mos me e konstituu Kuvendin, ani pse është jashtë afatit kushtetues”, u shpreh Ramadani.



