Dyshohen për tjetërsim të pronës 1.5 milionëshe, pesë zyrtarëve u ndalohet t’i afrohen Komunës së Fushë-Kosovës
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A., të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndaj pesë të pandehurve është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, si dhe masa e paraqitjes në stacion policor.
Sipas gjykatës, këto masa do të vlejnë deri më 8 tetor 2026.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pabazuar dhe ndaj të pandehurve G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A. ka caktuar masën ‘Ndalimi për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar’, e cila masë të pandehurve iu është caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin, duke u llogaritur nga data 08.09.2026 deri më datë 08.10.2026”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pesë të pandehurve u është ndaluar që t’i afrohen në një distancë prej 200 metrash vendit, përkatësisht Komunës së Fushë-Kosovës.
Gjykata ka paralajmëruar se, në rast të mosrespektimit të kësaj mase, ajo mund të zëvendësohet me masën e paraburgimit.
“Gjykata ka urdhëruar masën ‘Paraqitja në stacionin policor’ ndaj të pandehurve G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A., e cila masë do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar nga data 08.09.2026 deri më datë 08.10.2026. Gjykata mund të caktojë masën e paraburgimit, nëse të pandehurit nuk respektojnë masën e shqiptuar. Me rastin e vendosjes, Gjykata konstatoi se me masat e lartcekura, tani për tani, do të arrihet që procedura penale të zhvillohet e papenguar”, është thënë në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.



